E trishtë/ Nëna u shtyp nga adoleshenti, kushërira: Dhurata vdiq me dëftesat e fëmijëve në duar

Kronikë e zezë

E trishtë/ Nëna u shtyp nga adoleshenti, kushërira: Dhurata vdiq me dëftesat e fëmijëve në duar

Më: 19 korrik 2016 Në ora: 08:50
Dhurata Prifti me dy femijet

Sportistja e qitjes Dhurata Prifti, të mërkurën kaloi për herë të fundit në rrugën përtej kryqëzimit të Unazës, nga ku kalonte si çdo ditë për të çuar dy djemtë herë në shkollë.

Pas përfundimit të vitit shkollor, ajo i dërgonte fëmijët në kursin e arteve marciale tek e njëjta zonë. Ajo kishte dëshirë që edhe ata të merreshin me sport, njësoj si ajo. Të njëjtën rutinë ndoqi edhe dy ditë më parë kur për dore mbante Lukasin, 13 vjeç e Samuelin, 8 vjeç. Po kthehej nga shkolla e tyre, pasi kishte marrë dëftesat. Me dëftesat e fëmijëve në dorë u përplas për vdekje nga makina që drejtohej nga një 20­vjeçar, që nuk e ktheu as kokën pas për të parë se çfarë i ndodhi gruas që kishte moshën e nënës së tij.

Këto na i tregoi dje kushërira e qitëses nënkampione të Shqipërisë, disa minuta para se kortezhi mortor të drejtohej për te varrezat e Sharrës, ku Dhurata do të prehet në banesën e fundit.

Me zërin që i dridhet e afërmja e Dhurata Priftit, nuk do të komentojë as semaforin që nuk punonte, as veprimin e djalit që e përplasi dhe e la të shtrirë në asfalt pa i dhënë ndihmë, madje as televizionet që publikuan videon e momentit të aksidentit. Edhe pse duket që ato pamje e kanë tronditur shumë, pasi sa i kujton nis të qajë me zë. Por mendjen e ka te dy djemtë e Dhuratës.

“Ata përjetuan gjithçka ndryshe nga ne. Përjetuan diçka që nuk do ta harrojnë kurrë. Nuk e di se si babai i tyre, që edhe vetë është i dërrmuar nga kjo tragjedi, do të arrijë të vazhdojnë atë që la në mes Dhurata. Ëndrrën që edhe djemtë e saj të bëhen sportistë”, shprehet kushërira e 45­vjeçares. Diku afër fundit të rrugës “Jordan Misja”, ose siç e njohin në lagje “Rruga e Burgut”, në një pallat pranë Kolegjit Turk, qindra njerëz me të zeza janë mbledhur për të përcjellë Dhuratën drejt banesës së fundit, raporton Panorama.

Të afërmit e saj tregojnë se varrimi u vendos të bëhej në orën 14:00, pasi të afërmit e Arjanit, bashkëshortit të Dhuratës, të vinin nga Amerika. Atëherë nisi edhe ceremonia e varrimit. Kortezhi mortor nisi udhëtimin drejt Sharrës, duke kaluar tek e njëjta rrugë ku Dhurata dha frymën e fundit. Aty ku të mërkurën semafori nuk punonte. Ndërsa dje, si për ironi, makinave që shoqëronin arkëmortin në mjetin e funeralit, i desh të ndaheshin për të respektuar semaforin, që befas nisi të punojë.

“Dhurata po bëhej gati, pasi për disa ditë do të nisej drejt Amerikës. Por tani… po e çojmë në varreza”, shprehet kushërira e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat