Arrestohen dy persona të dyshuar për falsifikim të targave

Kronikë e zezë

Arrestohen dy persona të dyshuar për falsifikim të targave

Më: 22 korrik 2016 Në ora: 10:35
Arrestohen dy persona

Në vazhdën e parandalimit të veprimtarive kriminale, Njësia rajonale e Auto-krimeve, në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë, pas disa ditë hetimi të mirëfilltë ka arritur të identifikojë lokacionin ku dyshohej se po kryhej punimi i targave të falsifikuara.

Në një njoftim për media bëhet e ditur se hetuesit policorë mbi bazën e dyshimeve të ngritura, në mesditën e djeshme të datës 21 korrik 2016, në Mitrovicë, kanë realizuar një urdhër kontroll në një lokal pune, ku dyshohej se kryhej punimi i targave të falsifikuara.

“Gjatë kontrollit si prova materiale janë sekuestruar: 30 copë llamarina të formatit të targave, një lap top, një shtëpizë kompjuteri, targa të ndryshme, vendore e të huaja, mostra të folive për targa”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se në cilësi të personave të dyshuar janë arrestuar dy persona, pronarë të lokalit ku ushtrohej veprimtaria e dyshuar për punim të targave të falsifikuara.     

“Pas procedurave intervistuese me vendim të prokurorit të çështjes dy të dyshuarit janë liruar për procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tyre është iniciuar procedurë penale ‘falsifikim dokumenti’”, thuhet në fund të njoftimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat