Dy të vrarët në Vlorë, dyshohet për hakmarrje

Kronikë e zezë

Dy të vrarët në Vlorë, dyshohet për hakmarrje

Më: 25 korrik 2016 Në ora: 10:15
Foto nga vendngjarja

Policia dyshon se pas vrasjes së ndodhur rreth orës 22:00 të së shtunës, qëndron hakmarrja dhe në shënjestër  të autorëve ka qenë një 45-vjeçar.

Ilir Deromemaj, 45-vjeç dhe Dhimitër Cani, 60 vjeç, që të dy nga Vlora gjetën vdekjen si pasojë e plumbave të marrë. Ndërsa 50-vjeçari Krenar Runaj ka mbetur i plagosur në gjendje të rëndë për jetën.

Banorët e zonës kanë lajmëruar policinë pasi u dëgjua një breshëri e gjatë automatike. Policia gjeti para lokalit tre personat, dy të vdekur dhe një i plagosur dhe ka dërguar këtë të fundit në spital. Në vendin e ngjarjes janë gjetur shumë gezhoja të një arme “Kallashnikov”.

Ngjarja ka ndodhur në një pikë bastesh sportive në lagjen “Partizani” të qytetit bregdetar dhe dyshohet se shënjestër e sulmit ka qenë 45-vjeçari Deromemaj, i cili thuhet se në vitin 1998 ka vrarë shtetasin Lame Gockaj. 

Gjithsesi, kjo është vetëm një pistë hetimore e policisë për këtë ngjarje, ndersa po punohet gjithashtu për të zbuluar lidhjen që kanë viktimat mes tyre dhe për të kuptuar nëse janë të rastësishëm në vendngjarje.

Policia e Vlorës ka ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët dalëse dhe hyrëse të qytetit me qëllim kapjen e autorëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat