Burri xheloz për gruan, e masakroi me thikë në sy të djalit 11-vjeçar

Kronikë e zezë

Burri xheloz për gruan, e masakroi me thikë në sy të djalit 11-vjeçar

Më: 26 korrik 2016 Në ora: 09:12
Ilustrim

Burri i dehur masakron gruan me thikë, duke e qëlluar atë shtatë herë në pjesë të ndryshme të trupit.

Ngjarja e rëndë ndodhi në sy të fëmijës së tyre 11 vjeç, pasi bashkëshortët janë dëgjuar nga fqinjët të debatonin pak para krimit. Policia bëri të ditur se krimi i rëndë brenda familjes ndodhi të dielën, rreth orës 23:30, në Patos.

Viktima është shtetasja Resmije Goxhaj, 50 vjeçe, ndërsa autori bashkëshorti i saj, Kovaç Goxhaj, 55 vjeç. Sipas burimeve nga grupi hetimor, ngjarja ka ndodhur në banesën e çiftit në Lagjen e Re. Fqinjët e tyre kanë deklaruar për Policinë se e kishin dëgjuar 55-vjeçarin duke bërtitur afër mesnatës.

Por ata kanë njoftuar sallën operative pasi kanë dëgjuar më pas britmat e gruas për ndihmë dhe ulërimat e fëmijës së tyre 11 vjeç. Menjëherë pas sinjalizimit të dhënë, Policia e Patosit mbërriti në vend dhe zbuloi se banesa ishte kthyer si një kasaphanë, plot me gjak. Gruaja ndodhej pa jetë, ndërsa fëmijës i kishte rënë të fikët nga pamja e rëndë dhe gjaku gjithandej.

Autori i krimit nuk ka tentuar të largohet. Ai është arrestuar menjëherë pa bërë rezistencë, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe thika me të cilën ai kreu krimin. Edhe pse ende nuk ka të dhëna zyrtare në lidhje me motivin që e çoi 55-vjeçarin drejt këtij krimi të rëndë në familjen e tij, burime nga vendi i ngjarjes tregojnë se bashkëshorti ka shkuar shumë vonë në shtëpi dhe në gjendje të dehur.

Fqinjët i kanë treguar grupit hetimor se Kovaç Goxhaj kthehej shpeshherë vonë dhe i dehur në banesë, çka përfundonte gjithnjë me debat mes bashkëshortësh. Ata kanë deponuar gjithashtu edhe debatet mes tyre për shkaqe xhelozie nga ana e autorit ndaj gruas së tij.

Gjatë shoqërimit të autorit

Sipas tyre, edhe kur brenda çiftit kishte konflikte, ishin fëmijët ata që ndërhynin për të shuar sherrin. Por mbrëmja e djeshme ka qenë fatale për gruan, pasi dy fëmijët e rritur, 20 dhe 18 vjeç, i kishin nisur te të afërmit e tyre në një dasmë. Në shtëpi ishte vetëm fëmija i vogël 11 vjeç, i cili ka qenë në gjumë në momentin kur i ati ishte kthyer në shtëpi.

Ai është zgjuar nga toni i lartë i dy prindërve të tij. Por në momentin që është ngritur dhe ka shkuar në dhomën e prindërve, ai është përballur me skenën e rëndë, ku babai i tij po godiste me thikë të ëmën. Britmat e gruas pushuan kur plagët e shtatë thikave në pjesë të ndryshme të trupit i morën jetën.

Ulërimat e 11- vjeçarit kanë vënë në alarm fqinjët. Ata mbërritën njëherazi me policinë, por fëmija kishte humbur ndjenjat nga gjaku dhe paniku. Ndërsa gruaja ishte pa jetë dhe tentativa për t’i dhënë ndihmë ishte e kotë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat