Ndërron jetë autori i zjarrvënies në spital, ja videoja e ngjarjes (Pamje të rënda)

Kronikë e zezë

Ndërron jetë autori i zjarrvënies në spital, ja videoja e ngjarjes (Pamje të rënda)

Më: 26 korrik 2016 Në ora: 18:36
Pamje nga videoja

Ka ndërruar jetë autori i zjarrvënies ditën e djeshme në një spital privat ku humbën jetën dy paciente. Lefter Canaj, 57 vjeç nga Tirana, nuk i ka mbijetuar dot plagëve të marra në geminacionin e Spitalit të Traumës, ndërkohë që sot në mëngjes për të është lëshuar një urdhër-arresti për shkak të zjarrvënies së qëllimshme.

Më herët, policia njoftoi se “arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në ambientet e spitalit “American 1”, tek pavijoni i Hemodializës, për motive ende të paqarta ky shtetas pasi ka mbaruar mjekimin, rreth orës 11:00, është rikthyer tek pavijoni i Hemodializës, ku me vete ka pasur një shishe me lëndë djegëse “benzinë”, lëndë të cilën ka filluar t’ia hedhë në të gjithë trupin e shtetasit D. Saraçi  i cili ka qenë duke marrë mjekim në krevat dhe më pas i ka vënë flakën.

Flakët kanë përfshirë të gjithë pavijonin e Hemodializës, ku nga flakët e shumta dhe tymi i madh në këtë ambient kanë gjetur vdekjen shtetaset: Sanije Sulaj, 65 vjeçe, banuese në Mamurras dhe Anife Mali, 55 vjeçe, banuese në Laç. Gjithashtu, si pasojë e këtij zjarri kanë mbetur të dëmtuar shtetasit D. Saraçi, 38 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën; Lefter Canaj, 57 vjeç, banues në Tiranë dhe S. B., 34 vjeç, banues në Berat”, sqaron policia. Materialet procedurale i’u kaluan Prokurorisë së Rrethit Tiranë, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Shkatërrim të pronës me zjarr”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat