Kukës: Si u rrëmbye mësuesja e fshatit për t’u martuar me zor

Kronikë e zezë

Kukës: Si u rrëmbye mësuesja e fshatit për t’u martuar me zor

Më: 29 korrik 2016 Në ora: 12:37
Dhuna

Një histori rrëmbimi për një martesë të padëshiruar nga ana e vajzës, si ato në filma, ka ndodhur 4 vjet më parë, ndërsa policia arrestoi sot autorin kryesor të saj.

Prangat iu vunë Bledar Halilajt, 37 vjeç, banues në fshatin Bicaj, Kukës, pasi ndaj tij Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, me vendimin nr. 20, datë 05.02.2014 e kishte dënuar me 7 vjet burg.

Ndërsa historia e rrëmbimit është shënuar në Kukës më 14 nëntor 2012.

Protagonistë kryesorë: Një mësuese e re me inicialet S.C në fshatin Kolesjan dhe Bledar Halilaj, i cili kërkonte të martohej patjetër me të, megjithë kundërshtimin e saj.

Pasi dërgon njerëz në shtëpi në fshatin Osmanaj, për t’i kërkuar dorën dhe refuzimit të saj, Bledari, së bashku me shokët e tij, Vullnet Spahiu e Saimir Kolgjini, vendos të realizojë rrëmbimin e saj për ta detyuar të martohej.

Natën hartojnë planin e rrëmbimit: Bledari nga ana e tij nuk e kishte takuar asnjëherë nga afër S. për të folur për martesë. Ngaqë ajo dhe familjarët e saj i kishin kthyer atij përgjigje negative, përmes personave të tjerë, ai u mor vesh dhe ra dakord me dy shokët e tij, Vullnet Spahiu dhe Saimir Kolgjini, që ta rrëmbente atë kur ajo të dilte në mëngjes, për të shkuar në shkollë, dhe me këtë veprim ta detyronte atë të martohej me të.

Një natë para rrëmbimit planifikojnë se si do të realizonin rrëmbimin e mësueses së re S.C. Atë natë, ata ndenjën dhe folën për rrëmbimin e S., në lokalin e shtetasit Kapllan Rata, i cili ndodhet në vendin e quajtur Qafa e Kolesjanit.

Rrëmbimi në furgon kur mësuesja do shkonte në shkollë: Të nesërmen me datë 14.11.2012, rreth orës 07:40 minuta, kur S. kishte dalë në rrugë në pritje të furgonit që e transportonte për në shkollë, të tre shokët, si dhe një person i katërt i paidentifikuar ende, me një furgon të drejtuar nga Vullnet Spahiu, iu afruan asaj në rrugë, hapën derën e pasme të furgonit, e kapën për krahësh dhe me forcë e futën në furgon, në sediljen e pasme, me fytyrë poshtë. Megjithëse S. thirri me zë të lartë, kërkoi ndihmë, e kundërshtoi, ata arritën dhe me forcë e futën në furgon.

Kërcënimi dhe keqtrajtimi në furgon: Pasi e futën me forcë në furgon, Bledari e Saimiri e mbanin pa lëvizur, pasi ajo kundërshtonte me forcë dhe me shpejtësi makina lëviz rrugës së Kolosjanit.

Në furgon, gjatë rrugës, Bledari e kërcënonte vajzën për përgjigjen negative që ajo i kishte kthyer kërkesës së tij për t’u martuar dhe kaq mjaftoi që vajza të kuptonte se kush ishin rrëmbyesit dhe motivin. Përveç Bledarit, shokët e tjerë kishin mbuluar fytyrat për të mos u njohur nga vajza, ndërsa furgoni ishte me perde anësore dhe prapa.

Rrugës në furgon vajza i tha Bledarit dhe të tjerëve se, vdiste dhe atë nuk e merrte. Ndërsa furgoni ishte në lëvizje, mësuesja e re u bë objekt i sharjeve, fyerjeve e goditjeve. Bledari e Sajmir e godisnin me grusht e shkelma. E mbanin të shtrënguar fort për krahësh.

Mësueses i bie të fikët: Udhëtimi zgjati një orë deri në vendin e quajtur Bjeshkët e Lusnës. Këtu, 100 metra pasi e zbritën nga furgoni, S. i ra të fikët si pasojë e stresit dhe goditjeve dhe kur është përmendur, ka parë që ata po e mbanin në kurriz dhe e kanë çuar në një vend tjetër, zonë të pyllëzuar. Më pas, asaj përsëri i ka rënë të fikët dhe rrëmbyesit e përmendën duke i rënë në fytyrë.

Pasi e dëmtuara S. është përmendur, i ka parë përsëri aty Vullnetin e Sajmirin, të cilët më pas janë larguar. I zemëruar që e lanë vetëm atë dhe braktisën edhe furgonin në një cep të rrugës, Bledari nisi t’i shajë.

“O do martohesh me mua ose nuk të zbres nga mali”: Bledari, duke e mbajtur të shtrënguar për krahu S., vazhdoi të ecte nëpër mal  për orë të tëra. Gjatë gjithë kësaj kohe, ai kërkonte që ajo t’i pranonte të martoheshin, por përgjigja e saj ishte negative. Për këtë Bledari e godiste dhe e rrihte vazhdimisht. Madje Bledari tentoi edhe të kryente marrëdhënie seksuale me të, por nuk ia arriti qëllimit si pasojë e kundërshtimit të fortë që vajza i bëri. Bledari kishte vendosur të mos zbriste nga mali, së bashku me S. pa i pranuar e dëmtuara që të martohej me të.

Familja nis kërkimin e vajzës: Ndërkohë që e gjithë familja dhe fisi i mësueses S. ishin të shqetësuar për të dhe bënin përpjekje me telefonata për të mësuar se ku gjendej. Kontaktojnë dhe me vëllanë e Bledarit, i cili në fund përmes telefonatave bind këtë të fundit, të zbriste së bashku me të dëmtuarën S. nga mali dhe të shkonin drejt shtëpisë së tij, “për t’u sqaruar”.

Bindja: Rreth orës 23:30 të datës 14.11.2014, Bledari niset me S. për të zbritur tek shtëpia e tij. Në orën 02:24:11 të datës 15.11.2012, e dëmtuara S. ka qenë në shtëpinë e Bledarit, nga ku njoftoi kushërinjtë e saj që aty të sillnin policinë. Pas njoftimit të policisë nga të afërmit e të dëmtuarës S., policia shkon e bën arrestimin në flagrancë të Bledar Halilajt, ndërsa, Vullnet Spahiu dhe Saimir Kolgjini, janë ndaluar disa muaj më pas.

Procesi gjyqësor: Më 05.02.2014 Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e dënon me 13 vite burg. Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, përfitoi zbritjen 1/3 e dënimitdje përfundimisht dënohet me 7 (shtatë) vjet e 4 (katër) muaj burgim. Ndaj tij rëndon akuza “rrëmbimi ose mbajtja peng e personit, kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 109 /1 e 25 të K.Penal.

Më 13.05.2014 Gjykata e Apelit për Krime të Rënda i lehtëson dënimin duke e ulur në 3 vjet burgim pasi i bën ndryshimin e cilësimit të veprës penale: nga ajo e rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit në bashkëpunim, në atë të heqjes të paligjshme të lirisë po në bashkëpunim.

Më 27.01. 2016 Gjykata e Lartë hedh poshtë vendimin e Apelit dhe lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda

Bledari u arrestua më 28.07.2016, nga specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit, në D.V.P. Kukës. Ndërsa  Vullnet Spahiu dhe Saimir Kolgjini u dënua me 3 (tre) vjet burgim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat