Aksidenti me skaf: 20 ditë burg për Fatmir Kuçin

Kronikë e zezë

Aksidenti me skaf: 20 ditë burg për Fatmir Kuçin

Më: 6 gusht 2016 Në ora: 17:38
Ilustrim

Gjykata e Vlorës caktoi 20 ditë burg për Fatmir Kuçin, i cili dyshohet që aksidentoi për vdekje turistin rus në Livadh të Himarës. Në të vërtetë, prokuroria iu drejtua gjykatës duke kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg, me afat 30-ditor” për këtë shtetas.

Prokuroria kërkoi që i dyshuari të qëndronte në qeli derisa të përfundojë ekspertiza në mjetin lundrues tip skaf, për të konfirmuar nëse turisti rus u godit për vdekje prej tij apo jo. Ekspertiza mjekoligjore pritet të përcaktojë llojet e shenjave në trupin e të ndjerit dhe se nga çfarë janë shkaktuar.

Nga të dhënat e deritanishme, sipas prokurorisë, personi i parë që ka konstatuar të dëmtuarin me plagë prerëse në trup dhe që e ka transprotuar në Spitalin e Himarës është shtetasi Fatmir Kuçi. Por, duke mohuar se është ai personi që e aksidentoi shtetasin rus, i arrestuari ka shpjeguar se kishte dalë xhiro me skafin e tij, kur e ka gjetur rastësisht të ndjerin në det, dhe bashkë me një tjetër person e ka ngjitur në skaf.

Prokuroroia i referohet në qëndrimin e saj edhe 3 dëshmitarëve okularë, mes tyre edhe e djalit të Fatmir Kuçit, Joni Kuçi, i cili shpjegon se ka qenë duke lundruar me një motor uji, kur ka konstatuar të atin të hipte një person të dëmtuar në motoskaf.

Sipas dëshmisë, i ati i ka kërkuar më pas të dilte në breg dhe të njoftonte ambulancën. Gjatë hetimeve të deritanishme, Prokuroria e Përgjithshme thotë se janë këqyrur edhe regjistrat që adminisrtohen nga Policia Kufitare Himarë, ndërkohë që janë nën hetim 4 efektivë të policisë, mbi dyshimet se kanë shpërdoruar detyrën.

Prokuroria pohon se shtetasi Fatmir Kuçi nuk ka qenë i pajisur me leje lundrimi për mjetin që drejtonte, por për mjete lundruese me peshë totale deri në 10 tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat