Arrestimi i 5 shqiptarëve me 1.8 ton drogë, policia italiane jep detaje

Kronikë e zezë

Arrestimi i 5 shqiptarëve me 1.8 ton drogë, policia italiane jep detaje

Më: 13 gusht 2016 Në ora: 14:11
Gomonja nga Shqipëria

Policia italiane ka dhënë detaje mbi operacionin e kryer 24 orë më parë e që çoi në arrestimin e 5 skafistëve shqiptarë dhe në sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme droge e transportuar me gomone nga Shqipëria drejt Italisë. Pesë shtetasit shqiptarë, të ndaluar mëngjesin e së premtes në komunën e Fanos në provincën e Pesaros, akuzohen për trafik ndërkombëtar të drogës.

Karabinierët kanë informuar se sasia e drogës e sekuestruar është 1.820 kg e llojit marijuanë, e cila do të vlente në treg 6 milionë euro. Operacioni për arrestimin e 5 shqiptarëve, është ekzekutuar nga ana e Policisë së Ankonës, në bashkëpunim me atë të Pesaros dhe të Fanos. Agjentët e policisë italiane kanë vëzhguar sesi në orët e para të mëngjesit të së premtes, në një gomone të pozicionuar pranë lumit Metauro, 5 shqiptarët përpiqeshin të ngarkonin një kamion me marijuanë. Ndërhyrja e policisë italiane ka çuar në ndalimin e 5 shqiptarëve, si dhe në sekuestrimin e rreth 1.8 ton marijuanë.

Bëhet me dije se lënda narkotike e sekuestruar, ishte lidhur me anët e jashtme të gomones, për shkak të peshës së madhe të drogës. Brenda gomones janë gjetur dhe 1000 litra benzinë në 36 bidonë që do të shërbenin për furnizimin me karburant të mjetit lundrues gjatë rrugës së kthimit në Shqipëri. Prokuroria e Pesaros pritet të bëjë publikë emrat e 5 shtetasve shqiptarë të arrestuar për trafikun ndërkombëtar të drogës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat