Harta e drogës, ja 363 zonat ku kultivohet kanabis

Kronikë e zezë

Harta e drogës, ja 363 zonat ku kultivohet kanabis

Më: 17 gusht 2016 Në ora: 09:08
Droga në Shqipëri

Plot 363 zona janë listuar në raportin sekret të organeve ligjzbatuese në Shqipëri, në të cilat kultivohet kanabisi. Në raportin sekret dhjetë faqesh, i cili është siguruar nga “Shekulli”, është hartuar panorama e plotë e trafikut të lëndës narkotike, e cila sjell miliarda euro fitime. Shqipëria konsiderohet një prej prodhuesve kryesorë të kanabisit në Europë, duke mundur të kalojë mbi një mijë tonë marijuanë në vit. Raporti sekret ka listuar plot 363 zona, në të cilat kultivohet kanabisi. Dokumenti u hartua nga agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri, të ndihmuara nga partnerët nga Gjermania dhe Italia, duke dhënë një panoramë të plotë të trafikut të kanabisit. Tendenca e kultivimit ketë vit ka kaluar parashikimet. Kanabisi ka mbuluar jo vetëm lumin e Vlorës, Tepelenën apo malësitë e Dukagjinit, por edhe zona të tëra në juglindje, veri, në Fier, Berat e Skrapar, apo edhe në Mat, Kruje e Dibër. Trafikantët kanë siguruar fara kanabisi që sigurojnë rritje të shpejtë dhe me cilësi. Gjithë sasia e hashashit kalon në perëndim, por këtë radhë, duke ndryshuar edhe rrugët tradicionale. Tonelatat me droge ndjekin itinerarin: Shkodër-Mali i Zi-Serbi-Hungari dhe më pas në Gjermani. Në tregjet perëndimore, marokenët janë drejtuesit kryesore të trafikut dhe ata sipas informacioneve bashkëpunojnë ngushtë me grupet shqiptare. Ato shpërndajnë hashashin ne Itali e Greqi, e më pas dhe në Holandë, Francë, Hungari, Çeki, Austri e Gjermani. Raporti thekson se çdo vit në Europë harxhohen 24 miliardë euro për drogën dhe një pjesë e mirë e këtyre fitimeve u kalojnë grupeve kriminale shqiptare.

Qarku Fier: Në tre vitet e fundit në Qarkun Fier kultivimi i bimës narkotike ka marrë prioritet në të pesë bashkitë që përfshin ky qark: Bashkia Fier, Bashkia Patos, Bashkia Rroskovec, Bashkia Lushnjë dhe Bashkia Mallakastër. Nëse i referohemi territorit të kultivimit vitin e kaluar pothuajse i gjithë territori ka qenë i kultivuar me këtë lloj bime, tendencë e cila gjatë këtij viti do të jetë në rritje. Konkretisht në Bashkinë e Fierit zonat më të prekura kanë qenë fshatrat: Libofshë, Gryk, Pishporo, Cave, Adë, Darëzezë, Kreshpan, Krapes, Vjosë, Gjorgos, Frakull dhe në qytetin e Fierit është kultivuar në sera.

Në Bashkinë Patos, zonat më të prekura janë fshatrat: Dukas, Kuqan dhe Patos-Fshat.

Në Bashkinë Rroskovec, zonat më të prekura janë fshatrat: Kurjan, Vloshë, Ngjegjan, Mbers, Arapaj, Suk, Strum, Velmisht dhe ka pasur raste të kultivimit në sera.

Në Bashkinë Lushnjë, dy vitet e fundit ka marrë prioritet kultivimi i bimës narkotike kanabis-sativa, ku bie në sy kultivimi në sera sikurse edhe në fshatrat: Dushk i Madh, Hysgjokaj, Karbunarë, Grabjan, Krutje e Sipërme, Thanasaj, Zhamë, Thanaj, Toshkëz dhe Mazhaj.

Në Bashkinë Divjakë është kultivuar në pyllin e Divjakës, anës lumit Shkumbin dhe në fshatin Rremas.

Në Bashkinë Mallakastër, është kultivuar në fshatrat: Kutë, Ninesh, Cerrile dhe Gjerbës.

Qarku Vlorë

Në Bashkinë Vlorë, fshatrave të Lumit të Vlorës, Llakatundit dhe Poros.

Në Bashkinë Sarandë, fshatrat me kultivim rezultojnë Borsh-Mali Borshit, Fterrë, Çorraj, Sasaj, Lukovë (pjesa malore), Grazhdan, Leshnicë, Navaricë, Theollogo dhe Dhivër.

Njësia Administrative Konispol, fshatrat Vorv, Ninat, Markat, Kodrat e Konispolit dhe Shalës.

Në Bashkinë Delvinë, fshati Kakodhiq, Lugina e Bistricës, Syri i Kaltër, fshati Dhrovjan, Krongji dhe Qafa e Muzinës. Pllaja e Mesovunit, Qafa e Skërvicës-zona e Luvadhit.

Njësia Administrative Vergo-fshatrat Tatzat, Kalas (lugina e lumit Kalas përfshi dhe fshatin Bajkaj), pjesa malore e fshatit Vergo, Kopaçez, Varfaj, mali Sopot.

Qarku Dibër

Në Bashkinë Peshkopi, zonat me më tepër tendencë për kultivimin e bimëve narkotike, në bazë të informacioneve janë: Zona e Lurës, Territori i grykëderdhjes së “Drinit të Zi”, që fillon nga fshati Zalldardhë deri në Maqellare, në malin e Popinares (ish-Komuna Maqellarë) dhe fshati Luzni.

Në Bashkinë Bulqizë, zonat e kultivuara janë: Grykëderdhja e lumit të Okshtunit, Fshati Smollik, Fshati Temovë, Krahina c Gollobordës, Fshati Çerenec, Kodra e Danit në Fushë Bulqizë, Krahina e Martaneshit.

Në Bashkinë Burrel-Klos, fshatrat e zonës mbi Klosin, Krahina e Macukullit, fshati Gurrë, Mali i Balgjait, zonat kufitare me Malësinë e Krujës.

Qarku Lezhë

Në Bashkinë e Mirditës, pjesa më potenciale për kultivimin e kësaj bime narkotike është ish-Komuna e Kaçinarit, e cila kufizohet dhe me rrethet Lezhë dhe Pukë. Është një zonë që kryesisht kultivon rrushin dhe si e tillë ka burime ujore të mjaftueshme, por dhe me kryesorja se aty ka ndikim ish-kryetari i komunës së asaj zone që u lirua nga burgu me pretendimin që gërhiste natën (Petrit Bardhi). Po në këtë rreth ka informacion se po kultivohet hashash dhe në Zonat e Selitës që kufizohet me rrethet e Dibrës (Lurë) dhe Burrelit. Gjithashtu mendohet që ka kultivim dhe në zonën e Fanit, pjesa që kufizohet me rrethin e Kukhit në të djathtë dhe të Pukës në të majtë, në afërsi të ish-burgut të Spaçit.

Në Bashkinë Kurbin, sipas informacioneve, zonat që janë mbjellë dhe po përgatiten për kultivimin e kanabis-sativa janë fshatrat Marsheq, Selit, Skuraj.

Qarku Korçë

Në Bashkinë Korçë, fshatrat Dardhë, Vithkuq, Lekas, Mesmal, Moglicë, Dushar, Foq.

Në Bashkinë Pogradec zonat e kultivuara rezultojnë: Njësitë Administrative Dardhas, Velçan, Trebinjës, Hudënisht, Mokër, Guri i Kamjes.

Në Bashkinë Bilisht, fshatrat Bickë, Hoçisht, Koshnicë, Arëzë, Vidohovë.

Në Bashkinë Ersekë, fshatrat Gjonç, Shemtir, zona e Shelegurit.

Qarku Elbasan

Në Bashkinë Elbasan, zonat e kultivuara rezultojnë Gracen, Tregan, Fushë-Mbreti, Shmil.

Në Bashkinë Librazhd, fshatrat Çarrishtë, malet e Stërbles, Mokës, Dëshiran.

Në Bashkinë Prrenjas, fshatrat Rrajcë, Hotolisht, Drogostunja, Stëblevë.

Në Bashkinë Cërrik, fshatrat Gjylav, Sulov, Grekan, Shalës, Mollas.

Në Bashkinë Peqin, zonat e kultivuara rezultojnë Gjocaj, Pajolla, Përparimi.

Në Bashkinë Belsh, Kosovë, Gradishtë, Kajan.

Qarku Kukës

Në Bashkinë Kukës, fshatrat e kultivuar rezultojnë Borje, Ninç, Kalaja e Dodës, Surraj, Shikaj, Shëmëri.

Në Bashkinë Has, zonat e kultivuara janë: Vranisht, Zahrisht, Metaliaj, Vllahen, Kosturr, Bregu-Liqenit, Bregu-Krumës, Bjeshka e Krumës, Bjeshka Gjinaj.

Në Bashkinë Tropojë, zonat më të prekura me kultivim e bimëve narkotike janë: zona Lekbibaj, fshati Brotozhnicë, Lugina e lumit të Gashit, fshati Padesh, fshati Tpla/Degë. Tendencë e njëjtë është edhe për vitin 2016 në të gjithë këto zona. Ka filluar puna për rekrutimin e punonjësve për të përgatitur tokën dhe infrastrukturën për kultivim e bimëve narkotike. Personat që e kultivojnë janë me banim në Tropojë, Tiranë e Durrës dhe po kërkojnë toka në thellësi të pyjeve për të mos qenë prona të regjistruara. Tani për tani farat e kanabis-it i kanë hedhur në gota plastike dhe i kanë vendosur në sera në mënyrë që pas rreth dy-tre javësh t’i mbjellin në gropat tashmë thuajse të hapura. Nga Komani deri në Fierzë në anën e Drinit zonë e Tropojës, ka bashkëpunim me kultivuesit në anën tjetër të Drinit zonë e Shkodrës dhe e Pukës.

Tiranë dhe Shkodër, trafikantët kërkojnë “toka të reja”

Në Bashkinë Tiranë zonat e kultivuara rezultojnë: Petrelë (fshati Hekalit), Kërrabë (fshatrat Farkë dhe Lundër), Mnere, Bovillë, Tapizë e Vogël, Shëngjergj, Zallbastar, Qafë Mollë, Herraj, Tujan. Zona Dajt ka filluar mbjellja në sipërfaqe të vogla, në zonën e Pezës me tendencë të madhe kultivimi. Në zonën Zall Dajt në fshatin Fag ku kultivimi rezulton të jetë masiv.

Njësia Administrative Shijak, Komuna Xhafzotaj (kryesisht në Shetel dhe nëpër sera brenda avllive)

Qarku Shkodër

Në Bashkinë Vau i Dejës, zonat ku është kultivuar bima narkotike kanabis-sativa janë: fshati Dush, vendin e quajtur Mashën dhe në afërsi të fshatit Ferth, në afërsi të përrenjve. Në fshatin Gomsiqe,100 metra sipër rrugës kryesore një pyll me pisha. Në fshatin Karmë e Sipërme, në zonë të pyllëzuar jo shumë larg zonës së banuar. Në fshatin Koman sipër hidrocentralit në pyllin sipër tij. Në fshatin Lisen, në pyll në afërsi të Liqenit Vau Dejës. Në fshatin Vjerdhë, në pyll në afërsi të Liqenit Vau i Dejës. Në ishullin e Shurdhahit në Liqenin Vau i Dejës. Në fshatrat Melgushë, Mnelë e vogël dhe pothuajse në të gjitha lagjet Mnelë e Madhe, në zona të pyllëzuara dhe në disa lagje të fshatit Vig në zona të pyllëzuara. Në fshatin Shpor dhe Mazrek, në pyjet e fshatrave, zona të nxehta për kultivimin e bimëve narkotike. Në zonën Shllak, në vendet e quajtura pylli i Benës, sipër rrugës kryesore dhe poshtë rrugës kryesore në hyrje të fshatit Shllak Qendër dhe pylli Ukbibaj. Në zonën e Temalit në pyjet e fshatrave Kllogjen, Malagji, Telume, Kishë Arrë, Vilë dhe Toplanë, zona të nxehta për kultivimin e bimëve narkotike.

Në Bashkinë Shkodër, zona e Dukagjinit në pyjet e fshatrave Prekal, Sume, Kir, Pult, Shosh, Ndreaj, pothuajse gjithë fshatrat e bregut të lumit, zona të nxehta për kultivimin e bimëve narkotike. Në pyjet e fshatrave Kullaj, Ura e Shtrenjtë, Dragoq, Potribë.

Në fshatin Rragam, fshati Sheldi i Gurit të Zi, fshati Dajq i Bregut të Bunës, fshati Shirq, Velipojë, Qas, Bregu i Bunës, Melgushe, Stajkë.

Në Bashkinë Koplik (Malësia e Madhe) zonat ku është kultivuar bimë narkotike: Bjeshkët e Bogës, Qaf Thore, Bjeshkët e Dojcave, Bjeshkët e Kurrilave Dedaj, Bjeshkët e Repishtit, Bjeshkët e Rrjellit, në lagjen Culaj, fshati Bajzë, pylli i Kosanit, fshati Zagore, bjeshkët e fshatit Broje, bjeshkët e fshatit Vukël, bjeshkët e fshatit Nikq, bjeshkët e fshatit Selcë, bjeshkët e fshatit Vermosh, fshati Hot në afërsi me kufirin me Malin e Zi, bjeshkët e fshatit Kastrat, vendi i quajtur bjeshkët e Fushë-Zezë sipër zonës turistike të Razmës, në disa fshatra në bregun e liqenit të Shkodrës në zonën e Malësisë së Madhe.

Në Bashkinë Pukë, zonat më të prekura për kultivimin e bimëve narkotike gjatë vitit 2015 kanë qenë: Zona Korthpules, Vrrithit e Kaftallës, zona Kaçinari, Rras Kushnen, Mesul, Mushtë, Tuq, Kodër e Keqe, Zona Karmes e Komanit, Zona e Sapaqit, Brebulla, Mërturë, Berishë e Epër, Zona e Qafës Tmugut, Fletit, Kurorë-Dardhës dhe Stanët e Mziut. Tendencë e njëjtë është edhe për vitin 2016 në të gjitha këto zona. Ka filluar puna për rekrutimin e punonjësve për të përgatitur tokën dhe infrastrukturën për kultivimin e bimëve narkotike. Personat janë me banim në Shkodër, Durrës e Tiranë dhe po kërkojnë toka në thellësi të pyjeve për të mos qenë me prona të regjistruara. Nga Komani deri në Fierzë në anën e Drinit Zonë e Pukës ka bashkëpunim me kultivuesit në anën tjetër të Drinit, Zonë e Shkodrës. Ky informacion ka më shumë se dy burime.

Qarku Berat

Në Bashkinë Berat, kemi informacion se zonat që kanë tendencë për kultivimin e bimëve narkotike kanabis-sativa, janë zona të thella, kodrinore dhe jo shumë të banuara. Konkretisht:

Njësia Administrative Terpan: zona e Ballovit, pjesa kodrinore e tij dhe luginat e përrenjve.

Njësia Administrative Thinjë: Fshati Velçan, zona Osmenzez.

Njësia Administrative Cukalat: Fshati Sinjë, zona e Allambzezit dhe në serat e fshatit Cukalat.

Njësia Administrative Roshnik: fshatrat Dardhë, Qafë-Dardhë, Roshnik gjithashtu dhe në territorin e fshatit Kapinovë në pllajat e malit të Tomorrit.

Në Bashkinë Kuçovë, Njësia Administrative Lumas në pjesën kodrinore dhe luginat e përrenjve të fshatrave Luzaj dhe Sarafel.

Në Bashkinë Skrapar, zona të kultivuara rezultojnë fshatrat Turbohovë, Potom, Konak, Kakruk, Vendresh, Dobrush, Therepel, Bogovë, Novaj.

Qarku Gjirokastër

Në Bashkinë Tepelenë vitin e kaluar ka patur një kultivim masiv të bimës narkotike kanabis-sativa në të gjithë territorin e këtij rrethi. Por dhe ky vit nuk bën përjashtim, madje është dyfishuar tendenca e kultivimit.

Zonat më të theksuar në kultivim janë: Fshatrat Progonat (në malin e Këndervicës, konkretisht vendi i quajtur Hon dhe në fshatin Lekdush), Gusmar, Nivicë (në zonën e quajtur Llufa), Rexhin. E gjithë lugina e lumit Bënçë.

Njësia Administrative Lops (Dhemblan): në fshatin Dhemblan dhe në kodrat e fshatit Dorz, në fshatin Turan.

Njësia Administrative Buzë: Në kodrat e Selcës dhe fshatit Buz si dhe në luginën e përroit Selc.

Njësia Administrative Luftinjë: Në fshatin Zhapokik, Arrëz, Curril, Luftinj. Njësia Administrative Qesarat: Në kodrat e Qesaratit, fshatit Shalës.

Njësia Administrative Krahës: Në fshatin Kalivaç, në kodrat e Krahësit një (1) dhe Krahësit dy (2).

Në fshatin Toç dhe luginën e Vjosës.

Në Bashkinë Kamëz, Qinam, Çerkez, Zall-Herr, si dhe pjesa e malit që kufizohet me rrethin e Krujës

Në Bashkinë Vorë, zona Kuç.

Në Bashkinë e Kavajës, zonat e kultivuara janë, Helmës, Golem-fshat, Maskuri, Sineballaj, Rrogozhinë, Vilbashtovë dhe Lekaj.

Dikur ishte Lazarati, tani “kryeqyteti i kanabisit” është Shkodra

I listuar si një qark problematik, Shkodra është fokus të kontrolleve të Policisë së Shtetit për kultivimin e lëndëve narkotike. Kultivuesit janë shpërngulur në zonat e thella malore. Po hapin territore dhe po i bëjnë gati dhe janë në fazën e hedhjes në tokë të bimës narkotike. Ka mënyra të ndryshme që edhe personat që mund të informojnë të mos identifikohen. Sidomos në zonat e varfra ku nuk ka mundësi tjetër ky fenomen është më i shtuar. Në qarkun Shkodër zonat problematike vijojnë të mbesin Malësia e Dukagjinit, Ternali dhe Shllaku, si dhe njësia administrative e Rrethinave bashkë me disa fshatra të Nën Shkodrës.

Në Shkodër dobët zbulueshmëria, përgjegjësit llogari

Bimët narkotike në këtë zonë vijojnë të kultivohen në raste të shumta, por se zbulueshmëria e rasteve e rasteve është e ulët. Shkodra duhet të hiqet nga harta e kultivimit të kanabisit, pasi Shkodra është qarku me rriskun më të lartë. “Kultivimi i bimëve narkotike në Shkodër vijon të mbetet evident. Zbulueshmëria është akoma në nivele të dobëta nga ana e policisë. Duhet të hiqet nga harta rajoni i Shkodërs, pasi është qarku me riskun më të lartë. Terrenet e thyera favorizojnë kultivuesit”. Këtë vit ka një tendencë në rritje të kultivimit të kësaj bime dhe shkak për këtë është terreni mjaft i thyer malor dhe bashkëpunimi jo efiçent midis policisë dhe pushtetit lokal. Harta e parcelave me kanabis është zgjeruar.             Dy vjet nga operacioni që çoi në “rënien e Lazaratit”, bima narkotike po mbillet në të gjithë vendin, në të gjitha qytetet. Në dijeni të zgjerimit të zonave kultivuese, fenomeni është rritur dukshëm jo vetëm në sipërfaqe. Të dhënat flasin edhe për ndryshimin e teknikave të kultivimit. Në disa raste janë improvizuar edhe laboratorë me përdorim të energjisë elektrike, tunele me ngrohje dhe ndriçim si dhe sera.

Kultivimi i drogës në tokat e shtetit, mbjellja në tunele, sera e magazina

Kultivuesit e bimëve narkotike të cilët kohët c fundit po e kultivojnë lëndën narkotike dhe në tunele e sera. Sipas informacioneve rezulton se në pjesën më të madhe të rasteve kultivuesit e bimëve narkotike shfrytëzojnë për këto qëllime sipërfaqe toke në pronësi publike. Një tjetër shqetësim i ngritur që kërkon angazhimin është dhe fakti se kohët e fundit është vërejtur një tendencë e kultivimit të bimëve narkotike në tunele, ambiente të mbyllura, magazina, serra, si dhe laboratorë nëpërmjet energjisë elektrike.

Si zbulohen sipërfaqet e mbjella me kanabis me fotografim nga ajri

Sipas partnerëve italianë plantacionet e drogës në Shqipëri janë dyfishuar brenda dy viteve. Sipas tyre biznesi kriminal i kanabisit që qarkullon miliarda euro, për herë të parë e ka thyer murin e 1 mijë tonëve në vit. Raporti i Guardia di Finanza-s, që thotë se në Shqipëri në vitin 2015 kishte plot 1200 plantacione droge. “Nëse në vitet 2013/2014, kryeqyteti ndërkombëtar i kanabisit ishte Lazarati, tani gjërat kanë ndryshuar, klanet janë spostuar në zonën e Shkodrës më të vështirë për t’u kontrolluar. Në vitin 2015 janë zbuluar 243 mijë bimë kanabis gjatë aktivitetit që ka sjellë shfrytëzimin e 15.83% të territorit shqiptar. Numrat janë në rritje në krahasim me vitin e kaluar kur ishin 815 plantacione dhe 165 mijë bimë. Në vitin 2013 ishin 305 plantacione dhe 81.300 bimë kanabisi në një sipërfaqe prej 12.5% të Shqipërisë”, citon ajo. Në raport thuhet gjithashtu se situata po monitorohet me kujdes jo vetëm nga Italia dhe BE, por edhe nga SHBA. Raporti vjetor i Departamentit të Shtetit thotë se Shqipëria mbetet një vend burimi për marijuanën dhe një pikë tranziti për kokainën dhe heroinën.

Narkotikët të përhapur në Jug

Kultivimi dhe trafiku i narkotikëve është bërë shqetësues për zonat e jugut të vendit tonë, kryesisht në zonat malore dhe kodrinore apo dhe në zona të cilat nuk ka pasur raportime që të jenë përdorur më parë nga kultivuesit e hashashit për kultivimin e marijuanës në zonat malore më Jug të Shqipërisë. Të dhënat flasin për mjaft vatra të mbjella me marijuanë, sidomos në malësinë e Tepelenës. Në disa operacione organizatorët i shpëtuan arrestimit, ndonëse u bllokuan sasi te mëdha bimësh narkotike. Shqipëria vazhdon të jetë sipas analistëve të sigurisë një vend i origjinës së kultivimit të marijuanës, e cila vit pas viti prodhon një zinxhir efektesh kriminale. Vitin e shkuar është parë me shqetësim investimi i krimit të organizuar në mbjellje dhe ruajtje vatrash me marijuanë në zona të ndryshme të vendit dhe më pas organizimin e transportimit të marijuanës kryesisht drejt dhe Greqisë fqinje, por edhe vendeve të tjera Europiane.

Trafikantët, monitorim parcelave me dron

Droni është mjeti më i fundit që po përdoret pasivisht nga trafikantët e drogës për të monitoruar mbarëvajtjen e punës në plantacionet e mbjella me drogë. Trafikantët kanë nisur të përdorin dronin për të filmuar nga ajri parcelat e drogës, me qëllim pasjen në dijeni se kush hyn dhe kush del nga plantacionet. Përmes dronit, trafikantët përpiqen të kenë nën kontroll situatën dhe të sigurohen se çdo gjë në parcelat e tyre po shkon më së miri. Kjo metodë, përdoret krahas rojeve të armatosura që trafikantët kanë vendosur për të mbrojtur dhe mbajtur të sigurta plantacionet e tyre. Ky fenomen është hasur në Bashkinë e Krujës, por po përhapet me shpejtësi në të gjithë territorin e vendit. Të dhënat tregojnë pesëfishimin e sipërfaqes së mbjellë me kanabis sativa, shtrirjen e këtij fenomeni në të gjithë territorin, si dhe për faktin që grupet kriminale po përdorin një farë të veçantë, vietnameze, çka mundëson kryerjen e ciklit të plotë në 45 ditë.

Të dënuar, 700 persona

Për 12 vjet në Gjykatën e Krimeve të Rënda janë shpallur fajtorë për trafik droge 700 persona. Këto shifra tregojnë se Shqipëria vijon të jetë një problematikë për drogën, jo vetëm si vend origjine. Nga tiparet e çështjeve vërejmë se karakteristikat e këtij fenomeni kriminal, sepse Shqipëria veçse një vend origjine për kanabisin, përdoret edhe si rrugë kalimi për heroinë dhe kokainë.

"Shqipëria, një prej prodhuesve kryesorë të kanabisit"

Shqipëria vijon të mbetet një prej prodhueseve kryesore të kanabisit në Europë, pavarësisht operacioneve për shkatërrimin e dhjetëra hektarëve të mbjellura me bimë narkotike në Lazarat gjatë verës së vitit 2014. Në dokumentin ë lëshuar nga kjo Qendër theksohet se situata mund të ketë ndryshuar disi me operacionet e kryera, por Shqipëria, së bashku me Serbinë, Bullgarinë dhe Kosovën, mbeten një prodhues masiv i kanabisit. Destinacionet kryesore të tregtimit të kësaj lënde narkotike janë Greqia, Italia, Holanda, Hungaria, Republika Çeke si dhe Austria. Megjithatë, theksohet se kanabisi shqiptar tregtohet si një sasi të konsiderueshme edhe në Francë e në Gjermani. Raporti komunikon se trafikantët më të mëdhenj të kanabisit në Europë janë ata marokenë, të cilët garantojnë transportin si dhe shitjen në tregjet e kontinentit të vjetër. Raporti komunikon se në shumicën e rasteve, këta trafikantë bashkëpunojnë me prodhuesit shqiptarë. Në terma të përgjithshme, raporti gjykon se europianët shpenzojnë çdo vit 24 miliardë euro për drogëra të jashtëligjshme. Zyrtarët kanë gjykuar se kjo shifër është shqetësuese dhe se është mjaft e nevojshme të merren masa sa më shpejt për të paralizuar rrjetet e trafikut të lëndëve narkotike.

* * *

Arrestim në Shkodër

Një shtetas është ndaluar ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim nga policia në Malësinë e  Madhe me akuzën e kultivimit të bimëve narkotike.Nga Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe u shpall në kërkim N.K. 53 vjeç, banues në fshatin Bajzë, Njësia Administrative Kastrat Malësi e Madhe. Policia ka ndaluar shtetasin Luigj Keqaj, banues po në Bajzë, pasi në afërsi të banesës së tij u konstatuan 71 rrënjë të dyshuara cannabis sattiva.

Akuzat për policin

Partisë Demokratike pak orë më parë akuzoi qeverinë se në policinë e Korçës ka emëruar si shef të seksionit të trafiqeve një person të dënuar pak muaj më parë nga gjykata e krimeve të rënda. Pikërisht në lidhje me këtë rast reagoi edhe Policia e Shtetit që thotë se kur Prokuroria kishte nisur procedim penal ndaj Nardi Nelit ai është pezulluar menjëherë nga detyra. Policia e Shtetit shprehet se nuk mund të përjashtojë nga polica Nardi Nelin, pa një vendim gjyqësor të formës së prerë dhe lëshimin e urdhrit të ekzekutimit nga ana e organit të prokurorisë.

Raporti i BE-së

Raporti i BE-së për vitin 2016 për drogën, tregonte se në gjithë kontinentin qarkullon 24 miliardë euro në vit. Në raportin e Komisionerit për Çështjet e Brendshme në BE, të publikuar nga komisioneri Dimitris Avramopulos. Për Shqipërinë, në raport thuhej se me gjithë operacionin policor në Lazarat, vendi renditet sërish i pari në Europë për prodhim kanabisi dhe shitjen e tij në tregjet e paligjshme europiane. Pas saj vjen Holanda, Çekia etj.

Antikanabis në Tepelenë

Dje, strukturat e Policisë së Shtetit në Qarkun e Gjirokastrës kanë ndërmarë një operacion të gjerë antikanabis. Sipas drejtuesve të policisë vendore, aksioni antikanabis ka nisur orët e para të ditës në fshatrat e zonës së Kurveleshit. "Nga kontrolli i ushtruar nga Shërbimet e Policisë në zonat e pyllëzuara, pa pronar u konstatuan dhe u asgjësuan rreth 23 mijë bimë kanabis sativa", shprehen drejtuesit e policisë lokale në lidhje me ecurinë e këtij operacioni antikanabis. Sasia e bimëve narkotike ishte mbjellë në 13 parcela. Bimët u asgjësuan në vend me anë të djegies. Policia po punon për identifikimin dhe ndalimin e autorëve të këtij rasti të kultivimit masiv të kanabisit. Kjo është sasia më e madhe e bimëve narkotike që asgjësohen në një operacion policor antikanabis në territorin e Qarkut të Gjirokastrës. Prej nisjes të goditjeve antikanabis në territorin e këtij Qarku janë asgjësuar në total rreth 230 mijë bimë narkotike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat