Horror, i çmenduri i pret kokën nipit dhe e mban në dorë, ja ngjarja shokuese

Kronikë e zezë

Horror, i çmenduri i pret kokën nipit dhe e mban në dorë, ja ngjarja shokuese

Më: 18 gusht 2016 Në ora: 08:08
Jorgos Zani, 30 vjeç

Jorgos Zani, 30 vjeç, që dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, i preu kokën nipit 12-vjeçar me inicialet A. Z., në fshatin Palasë, rreth 50 kilometra në jug të Vlorës. Krimi i rëndë, me dimensione makabriteti, u regjistrua rreth orës 09:30 të mëngjesit të djeshëm, por pothuajse një orë më pas u bë pu blik, pasi trupi i pajetë i vogëlushit u gjet nga dy persona, që njoftuan menjëherë policinë dhe banorë të tjerë të fshatit. Pamja tepër e rëndë, ishte shokuese për dy personat që e panë atë për herë të parë, por edhe për të tjerët që mbërritën menjëherë. Trupit të vogëlushit i mungonte koka, e cila, sikundër doli më pas, ishte marrë prej vrasësit. Rreth orës 10:34 të paradites, policia arrestoi në kushtet e flagrancës 30-vjeçarin Zani, duke e akuzuar atë për vrasjen e të miturit. Gjatë kontrollit të banesës së të arrestuarit, u gjet edhe koka e 12-vjeçarit, të cilën e mbante në duar xhaxhai i 12-vjeçarit. Kaq mjaftoi që, Jorgo Zani të akuzohej për vrasjen dhe të dërgohej në komisariat.

Ngjarja 

Ishte ora rreth 09:30 e mëngjesit të djeshëm kur, dy persona, punëtorë që angazhohen me ndërtimin apo rikonstruksionin e banesave në këtë fshat, të ardhur nga rrethe të tjera të vendit, u përballën me pamjen e rëndë në një nga rrugicat e shtruara me gurë të këtij fshati. “Të tmerruar nga pamja, ata bërtitën duke kërkuar ndihmë”, tregon K. Paço, banor i fshatit. Kaq mjaftoi që, në vendin e ngjarjes të mbërrinin mjaft të tjerë, të moshuar e të rinj, që dhanë alarmin. Policia mbërriti me urgjencë në fshat dhe mandej në vendin ku ishte gjetur trupi pa kokë, që ndërkaq ishte identifikuar nga të pranishmit. Banorët e paktë të këtij fshati të vogël e të qetë, e njohin njëri-tjetrin, pavarësisht se, tashmë në verë ata shtohen për shkak të ardhjes së emigrantëve që kalojnë pushimet në vendlindje. Brenda një kohe të shkurtër, policia konkludoi ekspertët, të cilët “drejtuan gishtin” tek një emër i vetëm dhe ai ishte…xhaxhai i vogëlushit!!!! Gjatë një kontrolli të shpejtë në banesën e tij, u gjet edhe koka e viktimës, çka ishte edhe prova e drejtpërdrejtë e autorësisë së krimit të rëndë.

Me një pamje të shpërfytyruar, 30-vjeçari Zani, ashtu siç e njohin të gjithë në fshat, u mundua të kundërshtonte. Fjalët e tij ngatërroheshin me njëra-tjetrën, ndërkohë që nuk arrinte të artikulonte qartë. Shumëkush ishte në dijeni të grindjeve që kishin shoqëruar së fundi, autorin, me vëllanë e vet Llambron, me të cilin ndanin të njëjtën godinë që u shërbente si banesë. Por, dukej e pabesueshme që, kjo grindje të finalizohej me një akt të tillë, pavarësisht gjendjes mendore të 30-vjeçarit. Gjithsesi, policia i vuri atij prangat, ndërkohë që vijoi me hetimet intensive për zbardhjen e plotë të asaj çka kishte ndodhur.

Hetimi

Në historinë e hetimit të kësaj ngjarjeje të rëndë, gjërat duken mjaft kontradiktore me njëra-tjetrën. Kjo, duke nisur nga afërsia familjare mes dy protagonistëve, xhaxha e nip, mënyra e kryerjes së krimit dhe tentativës për ta fshehur atë. Kjo, pavarësisht se, Zani vlerësohet nga mjekët e spitalit Neuropsikiatrik, një njeri i sëmurë mendor, madje i kuruar për një periudhë një mujore gjatë vitit të kaluar në këtë institucion shëndetësor. Trupi i pajetë u gjet në një largësi disa dhjetëra metra nga banesa e dy vëllezërve, Jorgo dhe Llambro Zani, në një rrugicë pranë qendrës së fshatit. Një i afërt i familjes bëri të ditur për “Shekullin” se, gjatë ditëve të fundit kishte patur grindje, apo konflikte mes dy vëllezërve, nga ato grindje që, në fshat janë të zakonshme dhe që shoqërojnë shpesh jetën. Llambro dhe familja e tij, kishin ardhur për pushime në fshat, ashtu siç vijnë rëndom çdo verë dhe më pas, ishin larguar sërish, duke lënë pas njërin prej djemve të tyre, 12-vjeçarin që nuk do t’i shihte më prindërit. Madje, vogëlushi qëndronte te xhaxhai i vet, tek ai që u shndërrua edhe në vrasësin e tij. Sipas një burimi, grindja mes dy vëllezërve kishte lënë gjurmë tek vogëlushi, çka kishte krijuar edhe një marrëdhënie konfliktuale mes tij dhe xhaxhit, e cila u përshkallëzua gradualisht deri  mëngjesin e djeshëm. Por, lidhur me këtë askush nuk flet, ose më saktë askush nuk e ka të qartë. Prandaj dhe banorët ngrenë supet. Ndokush mes tyre, mjaftohet duke thënë se, e kanë parë Jorgon teksa e ndiqte nipin e vet.

Banorët: Jorgon nuk e mbante spitali, hante edhe qentë

Autori i krimit makabër në Palasë, i cili masakroi me thikë nipin12-vjeçar duke i prerë kokën, njihet si një person problematik nga banorët e zonës. Banorët e fshatit Palasë janë shprehur se e kanë dorëzuar disa herë Jorgos Zanin në psikiatrinë e Vlorës, por aty e kanë mbajtur disa ditë dhe e kanë nxjerrë sërish. Banorët e zonës deklarojnë më tej se 30-vjeçari kishte shfaqur probleme, ku disa herë ka therur kafshë të fshatit për t’i ngrenë më pas ato. Ata e përshkruajnë autorin e masakrës si një të droguar, me probleme mendorë, kanibal, që kryente veprime ekstreme duke ngrënë edhe mishin e qenve që vetë i therte. Gjithashtu, banorët zbulojnë se Jorgo Zani qëndronte në një shtëpi me 12-vjeçarin A. Zariu, që i preu më pas kokën. Ndërsa nuk e mendonin se do të ndërmerrte një veprim të tillë.

Autori kishte bashkëpunëtor një fëmijë 10-vjeçar

Por, është edhe një detaj tjetër që, duket se po vlerësohet apo do të vlerësohet në vijim nga ekspertët. Ngjarjes së djeshme i ka paraprirë edhe një tjetër, me protagonist sërish një të mitur. Bëhet fjalë për 10-11-vjeçarin P. K., i cili është zhdukur prej 3 ditësh. 10-vjeçari, një fëmijë “arrakat” dhe problematik për banorët, nuk është kthyer pranë familjes së vet. Lolo Konomi dhe bashkëshortja e tij, që sipas banorëve, vuajnë nga probleme mendore, e kanë kërkuar atë kudo ku ata mendojnë se mund ta gjejnë, por pa rezultat. Ndërkohë, banorë të tjerë dëshmojnë se P. K, shoqërohej me Jorgo Zanin, ashtu sikundër edhe me viktimën 12-vjeçare. “I kemi parë shpesh me njeri tjetrin”, thotë K. Paço, që ngre supet për çka mund të ketë ndodhur. Ndërkohë, 10-vjeçari i zhdukur, të cilin e kanë sjellë në jetë dy prindër në një moshë shumë të madhe, ishte shndërruar në një problem të vërtetë për mjaft banorë. Ai nuk kishte shkuar asnjë ditë në shkollë. Kam patur rastin të përballem më shumë se, një herë me të dhe e kam pyetur për jetën që bënte. Nuk kishte dalë asnjëherë nga fshati dhe nuk dinte se çfarë ishte shkolla. Gjetja e tij mund të jetë edhe enigma e kësaj vrasjeje, që arrin deri në kufijtë e makabritetit. Jo vetëm për faktin se viktimë e vrasësit është nipi (djali i vëllait), por edhe për mënyrën e ekzekutimit, prerjen e kokës dhe rrëmbimin e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat