Mallkimi nga tërmetet për familjen shqiptare, në `82 i prishi shtëpinë, në Itali i vrau djalin

Kronikë e zezë

Mallkimi nga tërmetet për familjen shqiptare, në `82 i prishi shtëpinë, në Itali i vrau djalin

Më: 26 gusht 2016 Në ora: 22:34
Familja Toro
Jemi tronditur nga gjëma që ndodhi në Itali. Lajmi për vdekjen e Erjonit na ka shokuar.
 

Prisnim që këto ditë ai së bashku me gruan dhe dy vajzat të vinte për pushime në vendlindje, por morëm lajmin e kobshëm për humbjen e tij. Ne i bëjmë apel shtetit që të na sjellë sa më shpejt trupin e tij në Shqipëri për të kryer ceremoninë mortore, pasi nëna e Erjonit është në gjendje të rëndë shëndetësore”. Kështu deklaroi dje xhaxhai i 34-vjeçarit Erjon Toro, i cili dy ditë më parë humbi jetën nga tërmeti që goditi Italinë qendrore. Me lot në sy, Pëllumb Toro nga fshati Kurjan i Fierit tha se lajmin e hidhur e mësuan nga daja i viktimës.

Ndërkaq, Pëllumb Toro tha se dhimbja e tyre është shtuar më shumë, pasi bashkëshortja e nipit të tij, Elsa Toro ka humbur të dyja këmbët, pas një operacioni në vendin fqinj. Sipas tij, i vetmi ngushëllim për ta është fakti se tragjedisë i kanë mbijetuar dy vajzat 9 dhe 4 vjeçe të 34-vjeçarit. Ndërkohë, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, xhaxhai i viktimës tha se nipi i tij (punonte në ndërtim) kishte mbi 16 vjet që jetonte me familjen e tij në Itali. Pëllumb Toro falënderoi ambasadën shqiptare në vendin fqinj, e cila iu është gjendur afër dhe i ka ndihmuar. Gjithashtu, ai pohoi se 35 vjet më parë, tërmeti shembi shtëpinë e prindërve të Erjonit, por fatmirësisht pjesëtarët dhe të afërmit e familjes Toro shpëtuan të gjithë.

Si e morët vesh lajmin për vdekjen e Erjonit?

“Dje në mëngjes (të mërkurën) morëm vesh për tërmetin që kishte rënë në Italinë qendrore. Fillimisht na thanë se nuk kishte viktima në komunitetin e shqiptarëve që jetojnë atje, ndaj u qetësuam. Më pas filluam t’u binim telefonave, por nuk po arrinim të kontaktonim me të afërmit tanë. Rreth mesditës, na telefonoi daja i Erjonit, i cili na tha se Erjoni na kishte lënë. Mësuam se i kishte rënë një pllakë e madhe betoni përsipër. U tronditëm nga humbja e tij, pasi ishte djalë i vetëm, vëlla i tri motrave.

Po për pjesëtarët e familjes së nipit tuaj çfarë ju thanë?

Pasi morëm lajmin për vdekjen e Erjonit, ne kemi kontaktuar vazhdimisht me të afërmit tanë në Amatrice të Italisë. Ata na treguan se trupi i nipit ishte nxjerrë nga rrënojat dhe se ishte dërguar në morg. Tashmë pritet që të kryhen të gjitha procedurat në mënyrë që trupi i tij të vijë në Shqipëri. Gjithashtu, të afërmit na thanë se dy vajzat e mitura të Erjonit dhe bashkëshortja e tij, Elsa ndodheshin në spital. Sipas tyre, vajza e madhe 9 vjeçe ka thyer njërin krah, ndërsa ka marrë goditje edhe në kokë. Ajo ndodhet në spital për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa gjendja shëndetësore ka ardhur duke u përmirësuar. Sa i përket vajzës së vogël 4-vjeçare, fatmirësisht nuk ka pësuar asnjë goditje dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Po për bashkëshorten e Erjonit, çfarë ju thanë dhe a keni kontaktuar me të?

Nuk kemi folur me nusen e Erjonit, pasi ajo është në spital dhe gjendja nuk paraqitet e mirë. Fillimisht na thanë se kishte thyerje në të dyja këmbët dhe se gjendja e saj shëndetësore ishte stabilizuar. Por sot (dje), të afërmit tanë atje na lajmëruan në telefon se gruaja e Erjonit i ka humbur të dyja këmbët. Nuk e dimë arsyen se çfarë i ka shtyrë mjekët italianë që t’i presin këmbët, mbase ishte mënyra e vetme për t’i shpëtuar jetën. Nuk dimë çfarë të themi tjetër.

A keni kontaktuar me përfaqësues të ambasadës shqiptare në Itali?

Përfaqësues të autoriteteve shqiptare në Itali janë treguar të gatshëm për t’u dhënë ndihmë të dëmtuarve nga tërmeti. Ambasada jonë atje po bën një punë të mirë, dhe ne i falënderojmë për këtë. Madje kanë lënë edhe një numër kontakti, për çdo problem që të afërmit tanë mund të kenë atje.

Çfarë kërkoni nga shteti shqiptar?

Ne i bëjmë apel shtetit që të bëjë të pamundurën për kryerjen e të gjitha procedurave me qëllim që trupi i pajetë i Erjonit të vijë sa më shpejt këtu në vendlindje. Ne jemi të gatshëm që edhe me shpenzimet tona të bëjmë të mundur sjelljen e trupit në Shqipëri. Ne kemi hapur dyert e mortit, por kemi edhe një arsye tjetër që kërkojmë me ngut kthimin e trupit të pajetë të nipit.

Mund të na thoni se cila është arsyeja?

Nëna e Erjonit, Meriemia është e sëmurë me kancer, por edhe probleme të tjera. Aktualisht atë jemi duke e mbajtur me ilaçe, në mënyrë që gjendja e saj të mos përkeqësohet edhe më tepër. Ndaj dhe këmbëngulim që trupi të vijë sa më shpejt e të kryhet ceremonia mortore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat