Burri gënjeu, ja motivi i vërtetë pse e vrau gruan me sëpatë

Kronikë e zezë

Burri gënjeu, ja motivi i vërtetë pse e vrau gruan me sëpatë

Më: 29 gusht 2016 Në ora: 13:12
Vrasja në Golem

Zbardhen detaje nga krimi i rëndë në familjen Dervishi, pranë një kompleksi turistik në Golem të Kavajës, kur i moshuari goditi për vdekje me sëpatë në kokë gruan e tij 68-vjeçare.

“Panorama” mëson se, shkak i krimit të rëndë kanë qenë zënkat mes çiftit për tradhëti. Por ndryshe nga sa ka deklaruar në polici vetë autori, se e vrau gruan pasi e kishte mbushur kupën, se ajo e kishte tradhtuar dhe i kërkonte atij llogari, krejt e kundërta është e vërteta.

“Panorama” mëson se, ata janë zënë për tradhtitë që bënte 73-vjeçari. Ky i fundit, autor i krimit kishte gjithë jetën që e tradhtonte të shoqen dhe për këtë arsye ata ziheshin shpesh.

Madje mësohet se, ata ishin ndarë disa herë për këtë fakt por kanë qenë djemtë që i kanë pajtuar dhe janë rikthyer bashkë.

NGJARJA

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:50, kur shtetasi Veli Dervishi që, sipas Policisë, kishte pirë disa gota raki, ka goditur gruan, Shazivare Dervishi me sëpatë, duke e lënë të vdekur në vend.

Sapo ka kryer krimin, ai i ka telefonuar njërit prej djemve që jetojnë në Tiranë dhe i ka thënë se kishte vrarë nënën e tij.

“Hajde shpejt në Golem. Kam vrarë nënën tënde…”. Këto kanë qenë fjalët që 73- vjeçari i ka thënë në telefon të birit, ndërsa e ka pritur aty pa lëvizur nga vendngjarja, derisa ai ka mbërritur. Djali i madh i çiftit e ka bindur të atin që të shkonte me të në Polici dhe të vetëdorëzohej.

Burimet thanë se kanë qenë të dy babë e bir, që janë paraqitur në Postën e Policisë së Golemit, duke rrëfyer atë çfarë kishte ndodhur.

Çifti Dervishi jetonin në Tiranë, në një apartament në rrugën “Muhamet Gjollesha”. Ndërsa kishin edhe një shtëpi pushimi pranë plazhit të Golemit, ku zakonisht shkonin gjatë verës për të kaluar disa ditë pushime. Edhe mbrëmjen e djeshme ata ndodheshin vetëm aty, prej disa ditësh, pasi kishin shkuar për plazh.

Veli dhe Shazivare Dervishi janë prindër të tre djemve, të cilët janë të martuar dhe jetojnë me familjet e tyre në Itali. Ndërsa dy të moshuarit prej disa vitesh jetonin vetëm. Njëri prej djemve ndodhej në Shqipëri këto ditë pasi kishte ardhur për pushime.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat