Një 35-vjeçar nga fshati Naraq i Shkodrës ka mbetur i plagosur me armë zjarri, pas një sherri në qytetin e Lezhës.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 21:00 të mbrëmjes brenda një lokali në hyrje të qytetit, ndërsa i plagosur ka mbetur shtetasi Tonin Kola.
Ai ka qenë duke pirë brenda ambienteve të lokalit bashkë me disa persona të tjere kur janë konfliktuar. Në debat e sipër njëri prej tyre ka nxjerrë armën pistoletë që kishte me vete, duke qëlluar në drejtim të 35-vjeçarit.
Ky i fundit ka mbetur i plagosur në këmbë dhe është dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore në spitalin e Lezhës nga ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia e cila ka arritur menjëherë në vendin e ngjarjes është vënë në ndjekje të autorit, por pa mundur që të identifikojë dhe arrestojë atë. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e motiveve të ngjarjes e cila nga hetimet e para rezulton se ka qenë një konflikt i çastit.