Krimi në Dukagjin, autori pranon vrasjen: Nuk e qëllova për spiunimin e drogës

Kronikë e zezë

Krimi në Dukagjin, autori pranon vrasjen: Nuk e qëllova për spiunimin e drogës

Më: 19 shtator 2016 Në ora: 18:01
Pamje nga vendi i ngjarjes

Pas vetëdorëzimit në polici, 31-vjeçari Luigj Bludaj ka pranuar vrasjen e bashkëfshatarit të tij, Gjok Arra, në Gjuraj të njësisë pult në Dukagjin.

Por gjatë marrjes në pyetje, i riu e ka kanalizuar dëshminë e tij drejt një alibie tjetër, që ka të bëjë me një sherr krejt banal, duke tentuar të shmangë pyetjet e hetimorëve në lidhje me dyshimet paraprake se ngjarja ka pasur si motiv spiunimin e parcelave të drogës.

“E vrava për t’u vetëmbrojtur. Debati ka nisur për bagëtitë e Gjok Arrës, të cilat kanë hyrë në tokat tona. Nuk është e vërtetë që ne kemi bërë debat për çështje droge. Ne nuk jemi marrë me drogë dhe as nuk ka lidhje fare kjo. E përsëris që ngjarja ka motiv vetëm bagëtitë e Arrës që na vinin në tokat tona”.

Kështu deklaroi dje i arrestuari i akuzuar për vrasje. Ndërsa vëllai i tij është ende në kërkim. Bludaj ka tentuar ta lehtësojë pozitën e të vëllait të tij, Çeskut, duke mohuar që ai të ketë qenë i pranishëm në momentin e krimit.

“Unë kam qenë i vetëm kur e kam qëlluar Gjok Arrën. Vëllai im, që është në kërkim, nuk ka qenë fare me mua në atë moment. Ai nuk është fajtor për këtë ngjarje, madje nuk ka lidhje fare me të”, është shprehur më tej i arrestuari, shkruan “Panorama”.

Sipas dëshmisë së dhënë, pas debatit fillestar me viktimën, gjërat janë acaruar më tej derisa është përdorur arma. Sipas Luigj Bludajt, Gjok Arra ka tentuar që ta vrasë duke provuar që të qëllojë ndaj tij. Por në këtë moment, për t’u vetëmbrojtur ai ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar ndaj tij, duke e lënë të vdekur në vend. 31-vjeçari i dyshuar si autor i vrasjes u vetëdorëzua pas dy ditësh nga momenti i ngjarjes, duke kërkuar siguri që policia të mos qëllojë ndaj tij dhe të mos keqtrajtohet.

Pas negociatave të gjata është dorëzuar duke dhënë edhe versionin e vrasjes që, sipas tij, ka ardhur për vetëmbrojtje, pasi bagëtitë e bashkëfshatarit kishin hyrë në tokën e vëllezërve Bludaj. Nga ana tjetër, burime pranë policisë, por edhe banorë të fshatit, bënë të ditur se vrasja ka ardhur për pazare të drogës dhe parcelave të mbjella me kanabis sativa në toka pa pronarë në malet e Dukagjinit.

Dyshohet se ata kanë paditur njëri-tjetrin për parcelat e mbjella, duke bërë që Policia të asgjësojë rreth 20 mijë rrënjë kanabis me një investim prej 80 mijë eurosh, që në treg vlera shkon rreth 1 milion e gjysmë euro. Kjo pistë mbetet ende në dyshim dhe hetimet e mëtejshme të detajuara pritet të zbardhin të plotë këtë ngjarje që përfundoi me vrasjen e 31-vjeçarit Gjok Arra.

Policia u orientua drejt kësaj piste nga të dhënat e siguruara në rrugë operative, të cilat përkonin me dyshimet paraprake. Një ditë para vrasjes, blutë kishin kryer një operacion në një zonë të thellë të Dukagjinit, ku asgjësuan 20 mijë rrënja kanabis. Nga të dhënat në rrugë operative, ndonëse toka është pa pronar, dyshohet se ajo ishte kultivuar nga ana e viktimës.

Ky i fundit ka akuzuar dy vëllezërit Bludaj se e kishin spiunuar, pasi të mbjellat e këtyre të fundit nuk i kishte zbuluar dhe as prekur policia. Pikërisht përplasjet për shkak të parcelave të drogës të mbjella në toka pa pronarë dyshohet të jetë bërë burim konflikti ndërmjet të rinjve, që rezultoi fatal për jetën e 31-vjeçarit Arra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat