Mbesa rreh me karrige druri gjyshen 79-vjeçare, dënohet me 5 muaj burg

Kronikë e zezë

Mbesa rreh me karrige druri gjyshen 79-vjeçare, dënohet me 5 muaj burg

Më: 21 shtator 2016 Në ora: 11:30
ilustrim

Gjykata e Tiranës ka dënuar me burg një 26-vjeçare të akuzuar për dhunimin fizik të gjyshes së saj 79 vjeçe.

Sipas Gjykatës, e moshuara është qëlluar me një karrige druri nga e pandehura Z.D. në ambientet e banesës së saj.

Episodi i dhunës, i shënuar në prill të këtij viti, ka qenë pika kulmore e një marrëdhënieje të tensionuar mes të moshuarës nga njëra anë dhe mbesës dhe bashkëshortes së djalit nga ana tjetër.

Për shkak për pretendimeve të mëparshme për dhunë, e moshuara kishte marrë një urdhër mbrojtjeje, që ndalonte të pandehurën dhe nënën e saj t’i afroheshin më shumë se 3 metra të moshuarës që jetonte në një nga dhomat e banesës, shkruan “Panorama”.

Sipas Gjykatës, dhunimi i të moshuarës ka ndodhur në një kohë që ajo ishte nën efektin e urdhrit të mbrojtjes. Në përfundim të gjykimit, e pandehura Z.D. u deklarua fajtore për akuzën e “dhunës në familje” dhe “veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe u dënua me 5 muaj e dhjetë ditë burg.

Referuar vendimit, ditën e ngjarjes, mbesa i ka kërkuar gjyshes së saj 79-vjeçare të shkonte dhe të thërriste vajzën e saj, që jetonte në të njëjtën lagje, për t’u sqaruar.

“E dëmtuara i ka kërkuar ta linte të qetë. Meqenëse e moshuara nuk ka pranuar të thërrasë vajzën e saj, e pandehura është afruar pranë dhomës ku ajo rri, dhe i ka hapur derën me forcë. E dëmtuara ka dalë nga dhoma e saj në korridor për t’u sqaruar me të pandehurën, ndërsa kjo e fundit ka marrë një karrige që gjendej aty dhe e ka goditur të dëmtuarën me të në krah dhe te këmbët. E dëmtuara ka rënë në tokë dhe me pas ka njoftuar shërbimet e Policisë”, rrëfehej episodi i dhunimit të 79- vjeçares në vendimin e gjykatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat