2 vjet burg për aksidentin me fatalitet

Kronikë e zezë

2 vjet burg për aksidentin me fatalitet

Më: 7 tetor 2016 Në ora: 13:17
Pamje nga gjykata

Agron Bullatovci është dënuar me dy vjet burg për shkak të veprës penale të rrezikimit të trafikut publik.

Sipas prokurorisë, Bullatovci më 16 mars 2011 afër stacionit të autobusëve në Prishtinë në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë duke mos përshtatur shpejtësinë goditi me veturën e tij “Peugeot”, Mustafë Ferizin gjersa ai ishte duke kaluar rrugën në vendkalimin për këmbësorë.

Për shkak të lëndimeve Ferizi katër ditë pas aksidentit vdiq në spital.

Avokati i palës së dëmtuar Nikë Shala tha se janë shqyrtuar shumë prova që kanë vërtetuar pretendimin e prokurorisë.

“Gjykata duke u bazuar në provat materiale të cilat janë prezantuar nga ana e prokurorisë dhe nga ana ime si përfaqësues i palës së dëmtuar, duke u bazuar edhe në tri ekspertiza, në dy ekspertiza të ekspertëve të komunikacionit dhe një superekspertizë dhe duke u bazuar edhe në raportin e hetuesit dhe dëshmitë e dëshmitarëve ka ardhur në përfundim se i akuzuari ka kryer veprat për të cilat është akuzuar,” tha Shala.

Shala deklaroi se vozitësit duhet të kujdesen për të evituar aksidentet.

“Siç dihet për fat të keq tokën e Republikës së Kosovës shpeshherë është duke e kapluar gjaku nga ngasësit e automjeteve të cilët duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, duke mos i respektuar shenjat e komunikacionit, duke mos i dhënë përparësi këmbësorit me rastin e kalimit në zebra, siç ka ndodhur për fat të keq edhe në rastin konkret që i akuzuari nuk e ka respektuar shpejtësinë e lëvizjes dhe po vijnë deri te rastet me fatalitet,” tha Shala për kallxo.com.

Avokati Shala duke mos qenë i kënaqur me lartësinë e dënimit, tha se si përfaqësues i palës së dëmtuar do të bëjë ankesë në apel.

Ndryshe nga Shala mendon avokati Bajram Tmava që mbron të akuzuarin.

Tmava nuk e vlerësoi të drejtë aktgjykimin.

“Në rastin e Agron Bullatovcit aktgjykimi është katastrofal, është aktgjykim që i qet hije të zezë gjykatës dhe gjyqtares që e ka nxjerrë. Në rastet e ngjashme dhe më të rënda kam 5-6 raste ku janë shqiptu dënime me 6 muaj dhe janë shndërrua në të holla. Unë jo vetëm që kam me ba ankesë, por me parashtresë të veçantë kam me i njoftu të gjitha instancat e drejtësisë për njëanshmërinë e gjyqtares që e ka gjykua çështjen,” tha Tmava.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat