"Pudja u vra pasi nuk pagoi punëtorët e kanabisit"

Kronikë e zezë

"Pudja u vra pasi nuk pagoi punëtorët e kanabisit"

Më: 16 tetor 2016 Në ora: 09:03
Ilustrim

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për dy të arrestuarit e ngjarjes së ndodhur disa ditë më parë në Shëngjergj. Gjykata vendosi të lërë në burg dy të rinjtë Alges Liçi dhe Dritan Buzo. Ndërkohë, teksa dy të arrestuarit qëndronin para gjykatës për t’u mësuar me masën e sigurisë, në pranga është vënë edhe personi tjetër që ishte shpallur në kërkim nga policia, Halit Dusha. Me kërkesë të prokurorisë, dy të rinjtë Alges Liço dhe Dritan Buzo do të qëndrojnë në qeli, për akuzën e “moskallëzim krimi” dhe “kultivimit të lëndëve narkotike”. Ndërkaq, para gjykatës, 19-vjeçari Liçi dhe 30-vjeçari Buzo kanë mbajtur të njëjtin qëndrim që mbajtën në polici, se Besnik Pudja ka vrarë vetën. Ata i kanë thënë gjykatës, se viktima luante me pistoletë në duar çdo ditë dhe, në momentin që është vrarë ka qenë vetëm në kaparonin e mbushur me drogë. Ndërkohë ata kanë pranuar se viktima i kishte punësuar për të ndërtuar kapanonët e tharjes së bimëve narkotike. Por në momentin e gjetjes së trupit, policia ka gjetur në kapanon vetëm 3 bimë kanabis sativa, duke krijuar dyshimet se hashashi është larguar nga aty pas vrasjes së Besnik Pudjas.

Prokuroria

Gjatë leximit të kërkesës për caktim masë sigurie, prokurori ka thënë në sallën e gjyqit se ka dyshime të shumta që 36-vjeçari Besnik Pudja është vrarë për mos pagesën ndaj punëtorëve. Por, sipas prokurorisë kjo mbetet ende një dyshim, pasi ende po punohet për gjetjen e provave dhe përfundimin e raportit të mjekësisë ligjore, që do të konstatojë nëse Pudja është vrarë apo e kanë vrarë. Ndërkohë, familjarët e viktimës kanë ngritur dyshime se i afërmi i tyre është vrarë për lëndën narkotike. Edhe akuzat e ngritura ndaj dy të arrestuarve Liço dhe Bozdo, ngrenë dyshime të forta se Besnik Pudja është vrarë për shkak të kultivimit të hashashit. Nga ana tjetër është arrestuar nga policia edhe i dyshuari i kësaj ngjarje, Halit Dusha, i cili do të merret në pyetje për të zbardhur ndonjë detaj për rastin e gjetjes së trupit të pajetë të Besnik Pudjas, i gjetur i vrarë me një plumb në kokë.

Arrestimi i Halit Dushës 

Paraditen e djeshme, policia e Tiranës njoftoi arrestimin e shtetasit Halit Dusha, 37 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim dy ditë më parë për “moskallëzim krimi” dhe “kultivim të lëndëve narkotike”. Sipas burimeve të policisë, Dusha ka pasur dijeni për ngjarjen e ndodhur në Shëngjergj, ku 36-vjeçari Besnik Pudja u gjet i vrarë me armë zjarri, pistoletë “TT”. Ndërkaq, ngjarja e rëndë ka sjellë edhe përplasje mes dy institucioneve, prokurorisë dhe policisë. Burime nga prokuroria bënë të ditur se ngjarja e ndodhur rreth një javë më parë në Shëngjergj është regjistruar si vrasje, ndërsa policia në të gjitha njoftimet e saj e ka cilësuar ngjarjen si vetëvrasje. Burime nga policia, theksuan më tej se shtetasi Halit Dusha në bashkëpunim me viktimën Besnik Pudja kanë kultivuar lëndë narkotike kanabis sativa në vendin ku ka ndodhur ngjarja. Po ashtu, sipas policisë, Dusha, Liçi dhe Buzo kanë qenë të pranishëm në vendin ku ka ndodhur ngjarja, ku ka mbetur i plagosur n pjesën e shpatullës edhe 19-vjeçari Liçi. Dy të arrestuarit mbrëmjen e së mërkurës të cilët mbahen nën akuzën e “moskallëzim krimi”, kanë treguar se Besnik Pudja kishte pirë shumë raki para se të vriste veten. Po ashtu, 19-vjeçari, Alges Liçi i cili ndodhet ende në gjendje të rënduar psikologjike, ka shpjeguar në polici edhe mënyrën se si ka mbetur i plagosur momentin kur Besniku ka qëlluar me armë. “Në një moment Besniku ishte i ulur dhe duke mbajtur një pistoletë në dorë, ai u ngrit në këmbë duke thënë se do ikte në shtëpi. Në momentin që ishte gjysmë i ngritur, ka shkrepur armën. Unë isha me shpinë nga ai. Por plumbi, më ka goditur mua në shpatull pasi isha para tij”, është shprehur Algesi. Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes së rëndë, ku mbeti i vrarë 36-vjeçari Besnik Pudja.

Hetimet

Burime nga policia bëjnë me dije se disa të njohur të 36-vjeçarit që janë marrë në pyetje në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen, kanë pohuar se viktima mbante gjithmonë pistoletë me vete. Ndërsa disa të tjerë kanë pohuar se ditët e fundit ai po interesohej për të blerë tuba që përdoren për ujitjen e hashashit. Sipas policisë, kjo e dhënë sjell dyshime se edhe vetë viktima mund të jetë marrë me kultivimin e kanabisit në malet rreth Shëngjergjit. Ndërkohë, ngjarja e cila ka ngjallur reagime të shumta gjatë ditëve të

fundit , është regjistruar në prokurori si “vrasje”. Burime nga grupi hetimor kanë bërë me dije se policisë së Tiranës i janë lënë disa kërkesa për të hetuar dhe për të zbardhur ngjarjen e rëndë. Më tej, organi i akuzës mësohet se ka kërkuar kryerjen e ekspertizës kriminalistike dhe mjekoligjore, për të zbardhur përfundimisht ngjarjen dhe për të përcaktuar një version përfundimtar.  Pudja është gjetur i pajetë më 7 Tetor rreth orës 14:00 me një plagë me armë zjarri në fshatin Kollogjesh të Komunës Shën-Gjergj në Tiranë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat