56-vjeçari shfaq pendesë për vrasjen e gruas: Nuk di si do t’i dal djalit para

Kronikë e zezë

56-vjeçari shfaq pendesë për vrasjen e gruas: Nuk di si do t’i dal djalit para

Më: 24 tetor 2016 Në ora: 09:14

Kasem Lila, i cili u arrestua mbrëmjen e së shtunës pasi vrau me armë bashkëshorten e tij dhe plagosi kunatën (nusen e vëllait), ka shprehur pendesë për krimin e kryer. Ngjarja në fjalë u shënua në fshatin në lagjen Çoçaj, në Ndroq. I ndodhur në kushte depresioni, 56-vjeçari qëlloi mbi gruan e tij, Afize Lila, 41 vjeçe dhe u plagos Zyra Lila, 56 vjeçe. Autori, i cili u vu në pranga vetëm pak minuta pasi kreu krimin e rëndë, ka pranuar para policisë autorësinë e krimit, duke treguar se nuk kishte dashur ta vriste të shoqen. “Nuk e di se si u bëra për një moment. Po debatonim, por ja që e bëra”, ka rrëfyer Kasem Lila para hetuesve të çështjes, teksa herë pas here kapte kokën me duar. E plagosura ka marrë një plagë në shpatull dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka marrë në pyetje edhe vëllain e autorit dhe disa familjarë të tyre.

Dëshmia
Burime pranë oficerëve të kriminalistikës thanë dje për “GSH” se 56-vjeçari është pyetur për rrethanat e ngjarjes pak pas mesnatës të së shtunës. Fillimisht ai ka treguar se ishte konfliktuar me gruan që në mëngjes (të shtunën), por më pas sherri sikur ishte shuar. “Bëmë fjalë që në mëngjes. Ne jetonim të kushte të vështira ekonomike dhe Fizja filloi të bërtiste e të bënte fjalë. Pasdite ndodhi po e njëjta gjë. Në ato momente ishim te shtëpia e vëllait. Ne jetojmë në të njëjtin oborr, vetëm shtëpinë e kemi të ndarë”, ka thënë ai teksa herë pas here i dridhej zëri. Përsa i përket konfliktit mes tyre, Kasem Lila nuk ka dhënë një dëshmi konkrete, pasi e ka cilësuar debatin si diçka të çastit dhe pa ndodhë arsye. “Nuk e di as vetë se si ndodhi më tej. Ishim duke debatuar edhe me vëllain tim. Unë e dija që ai kishte një çifte në shtëpi. E dija ku e mbante. Dija që e kishte edhe me leje. Kam shkuar atje menjëherë dhe e kam marrë. E drejtova nga gruaja ime, por jo se doja ta vrisja. Doja vetëm ta trembja. Por ja që e bëra. Kam edhe një djalë që ndodhet në Itali. Nuk e di se si do t’i dal përpara tani”, ka deklaruar më tej ai.

Familjarët
Edhe vëllai i Kasemit nuk ka dhënë një arsye konkrete përsa i përket konfliktit që kishte nisur mes tyre. “E dëgjova që ishte duke bërë fjalë me gruan e tij. Kurse unë dhe gruaja ime kemi ndërhyrë për t’i ndarë, por më pas ndodhi tragjedia”, ka rrëfyer vëllai i autorit për policinë. Gjithashtu, ai ka deklaruar më tej se i vëllai kishte 10 ditë që nuk kurohej për shkak të pamundësisë për t’i blerë ilaçet. “Kohët e fundit vëllai po shfaqte shenja depresioni, pasi prej 3 javësh i kishin ndërprerë KEMP-in. Ndërsa, në datën 26 pritej që të dilte para komisionit të kempin. Paratë që ai merrte, i ishin dhënë vetëm për të paguar shpenzimet e ilaçeve, pasi para disa vitesh është operuar nga tumori në kokë”, ka sqaruar ai. Ndërsa, disa prej të afërmve të tyre kanë treguar për uniformat blu se Kasemi ishte një person i qetë dhe jo problematik. “Shqetësimet filluan t’i shfaqeshin që sapo i hoqën kempin, sepse thoshte se nuk kishte me çfarë të blinte ilaçet. Ne u shokuam kur morëm vesh se çfarë ndodhi”, kanë thënë ata ditën e ngjarjes.

Vrasja
Ishte ora 19:30 minuta kur 56-vjeçari Kasem Lila, banues në Ndroq qëlloi me armë zjarri mbi të shoqen, ndërsa plagosi lehtë edhe kunatën e tij. Zyrtarisht, policia tha se Lila vuante nga depresioni dhe krimin e kishte kryer në banesën e të vëllait të tij. Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, oficerë të komisariatit numër 6 bënë të mundur arrestimin e tij, ndërsa në banesë sekuestruan një armë gjahu teke, e cila është edhe arma e krimit, dy gëzhoja arme gjahu, si dhe 20 fishekë arme gjahu. 56-vjeçari akuzohet për veprën penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”./BalkanWeb

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat