Arrestohet i dyshuari për vjedhje të shtyllave elektrike në Rahovec

Kronikë e zezë

Arrestohet i dyshuari për vjedhje të shtyllave elektrike në Rahovec

Më: 23 nëntor 2016 Në ora: 11:46
Ilustrim

Në komunën e Rahovecit nga data 5.10.2016 deri me datën 21.11.2016 vazhdimisht janë paraqitur disa raste të vjedhjeve të rënda dhe dëmtime të instalimeve publike të kryera nga persona të panjohur në 28 shtylla elektrike të metalta, konkretisht profilet e metalit të llojeve të ndryshme rreth 9 500 kg.

“Nga këto shtylla elektrike janë vjedhur pllaka metalike të formave dhe madhësive të ndryshme rreth 220 copë, bulona lidhëse, dado, nënshtresa rreth 800 copë, nga linja interkonektive, linjë që përfshin komunën e Rahovecit, përkatësisht përmes fshatrave Zatriq, Kaznik, Pastasel, Polluzhë dhe Sarosh, me ç’rast janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale”, thotë Policia e Kosovës.

Ndërkaq, Stacioni policor në Rahovec pas disa veprimeve operativo-hetimore ka arritur që të identifikojë të dyshuarin e mundshëm, ku në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit ka kryer bastisje në shtëpinë dhe automjetin e të dyshuarit, ku ka gjetur disa mjete të dyshuara për kryerjen e veprës penale, pastaj ka vazhduar me bastisje në një depo të një hekurishte në Rahovec ku ka gjetur dhe ka konfiskuar materialin e vjedhur.

“Me këtë rast është arrestuar i dyshuari mashkull, shqiptar i Kosovës, Sh. V., lindur me 1968”, potencon Policia.

Policia e Kosovës apelon tek qytetarët e kësaj zone që të bashkëpunojnë me Policinë dhe kompaninë KOSTT në mënyrë që të parandalohen dëmtimet, respektivisht vjedhjet e këtyre instalimeve publike duke pasur parasysh se përveç rëndësisë së madhe ekonomike këto dëmtime paraqesin rrezik permanent për jetën dhe pronën e qytetarëve. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat