Ekzekutimi i të riut në Elbasan, 15 persona në polici

Kronikë e zezë

Ekzekutimi i të riut në Elbasan, 15 persona në polici

Më: 26 nëntor 2016 Në ora: 22:34
Gazment Sllami

I riu Gazment Sllami, që për pak ditë do të bëhej 19 vjeç është ekzekutuar nga persona ende të paidentifikuar, por që besohet se janë të njohur të tij.

Burime nga policia kanë bërë të ditur se adoleshenti nga fshati Guri i Zi, kishte dalë nga banesa rreth orës 14:00 të mesditës, pas një telefonate që kishte marrë.

Familjarët kanë treguar për policinë se ai nuk ka thënë gjë se ku po shkonte. Por rreth orës 16:00, familjarët kanë dëgjuar një të shtënë rreth 200 metra larg shtëpisë.

Ata kanë dalë me vrap nga banesa e tyre dhe janë tmerruar kur kanë parë trupin e pajetë të djalit të tyre.

Ekzekutimi i të riut është bërë në një kodër pranë banesës së tij. Familjarët e kanë çuar me shpejtësi drejt spitalit, por ai ka mbërritur i pajetë atje.   

Policia që ka mbërritur në vendin e ngjarjes ka bërë sekuestrimin e provave dhe të telefonit të viktimës, ku janë kontrolluar telefonatat e fundit, ndërsa janë shoqëruar më shumë se 15 persona.

Burime nga policia thonë se autorët e krimit janë miq ose të njohur të viktimës.

Mister është shkaku i kësaj vrasjeje pasi sipas dëshmive të mbledhura deri më tani, ai nuk ka pasur asnjë konflikt apo sherr në zonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat