Makina bie në humnerë, 1 i vdekur e 3 të lënduar

Kronikë e zezë

Makina bie në humnerë, 1 i vdekur e 3 të lënduar

Më: 5 dhjetor 2016 Në ora: 17:21
Ilustrim

Një aksident automobilistik me pasojë vdekjen e një shtetasi dhe plagosjen e 3 të tjerëve ka ndodhur mëngjesin e sotëm, rreth orës 04.30 në aksin rrugor Gramsh- Trashovicë.

Automjeti tip “Ford” me targë AA 847 MY i drejtuar nga Elson Metani, 31 vjeç, ka devijuar nga rruga dhe ka përfunduar në greminë.

Për pasojë ka mbetur i vdekur Agim Metani 57 vjeç, ndërsa janë lënduar Elson Metani, 31 vjeç, Algert Miraka-36 vjeç dhe Adi Metani-27 vjeç.

Drejt vendit të ngjarjes është nisur menjëherë reparti i zjarrfikësve dhe policia të cilët kanë ndihmuar për të nxjerrë të aksidentuarit nga automjeti. Me gjithë ndihmën e shpejtë 57-vjeçari Agim Metani ka ndërruar jetë gjatë rrugës.

Ndërsa të lënduarit e tjerë ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën. Automjeti drejtohej nga Elson Metani (djali i të ndjerit), dhe lëvizte nga fshati Silarë për në Gramsh. Por në një nga kthesat e fshatit Trashovicë, drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin dhe ka rënë në greminë. Nga hetimet paraprake rezulton se automjeti ka rrëshqitur si pasojë e rrugës me lagështire.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat