Merr flakë apartamenti i tre vajzave, njëra hidhet nga ballkoni

Kronikë e zezë

Merr flakë apartamenti i tre vajzave, njëra hidhet nga ballkoni

Më: 18 dhjetor 2016 Në ora: 09:00
Ilustrim

Një apartament në katin e dytë të një pallati në zonën e “Unazës së Re”, tek Astiri, është përfshirë nga flakët orët e para të mëngjesit të së shtunës. Mësohet se zjarri ka shpërthyer rreth orës 03:00 të mëngjesit, duke vënë në panik tre vajzat që banonin në të dhe gjithë banorët që dolën jashtë nga frika. Sipas banorëve të pallatit ku kishte rënë zjarri, njërës prej vajzave, i është dashur të kapërcejë nga ballkoni për t’i shpëtuar djegies.

Ajo pësoi fraktura në këmbë gjatë hedhjes nga ballkoni i saj te ai i fqinjëve. Ajo u dërgua për mjekim në QSUT, ndërsa mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Zjarri dyshohet të ketë ardhur si pasojë e harresës së një karikuesi telefoni në prizë, por ende vijojnë hetimet që do përcaktojnë edhe shkakun. Në vendin e ngjarjes, burime nga policia kanë bërë me dije se kanë shkuar menjëherë katër makina zjarrfikëse, të cilët bënë evakuimin e banorëve të pallatit. Ndërkohë, banorët janë shprehur se shërbimi zjarrfikës është vonuar shumë në vendngjarje, çka ka bërë që flakët të përhapeshin me shpejtësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat