Vret gruan dhe plagos vëllain e saj, shkak një konflikt mes çiftit

Kronikë e zezë

Vret gruan dhe plagos vëllain e saj, shkak një konflikt mes çiftit

Më: 22 dhjetor 2016 Në ora: 14:16
Pamje nga vrasja e mbrëmshme në Prishtinë

Një 62-vjeçar nga Prishtina qëlloi për vdekjen gruan e tij 57 vjeçe dhe plagosi kunatin e tij, 47 vjeç. Ngjarja ndodhi të mërkurën mbrëma, rreth orës 22:00, në rrugën “Muharrem Fejza” në kryeqytet, pikërisht para ndërtesës ku banon familja e të vrarës. I dyshuari është vetëdorëzuar në Polici, menjëherë pasi kreu krimin, konfirmojnë autoritetet kosovare. Prokuroria nuk jep detaje për rastin. Të tronditur për ngjarjen, refuzojnë të flasin edhe familjarët e viktimës 

Rruga përballë ndërtesës, ku mbrëmë ndodhi një vrasje dhe një plagosje, vazhdon të jetë e lyer në gjak. Ndonëse shiritat e policisë janë larguar nga zona e krimit të një nate më parë, një veturë policore vazhdon të qëndrojë e parkuar përballë kompleksit shumëkatësh, ku ndodhi vrasja e një gruaje të moshës 57-vjeçare. 

M. G., u qëllua për vdekje, të enjten, rreth orës 22:00, nga bashkëshorti i saj, 5 vjet më i vjetër. Ajo nuk ishte viktima e vetme e armës së zjarrit që shkrepi 62-vjeçari R.G.. Plagë mori edhe vëllai i saj, Xh. H., që aktualisht po merr trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. 

Vrasja mësohet se ndodhi si pasojë e një konflikti të mëparshëm mes çiftit. Si rrjedhojë, gruaja ishte zhvendosur për banim te familja e saj, aty edhe ku ndodhi krimi. 

Menjëherë pas, 62-vjeçari ra në duart e Policisë së Kosovës, duke dorëzuar edhe armën me të cilën kreu krimin. Policia ka bërë të ditur se përveç pistoletës CZ, e kalibrit 7.65mm, atij i është konfiskuar edhe një karikator i zbrazët. Express ka qëndruar vetëm disa orë pas vrasjes, në rrugën “Muharrem Fejza” të Prishtinës, për të takuar familjen e viktimës dhe të të plagosurit. Por, ata s’kanë hapur derën e banesës së tyre, të tronditur nga ndodhia, duke i kërkuar ekipit të gazetës “që t’i lënë rehat” – përmes interfonit të ndërtesës. 

Nga ana tjetër, QKUK bëri të ditur për media se vëllai i gruas së vrarë, që u plagos mbrëmë nga i njëjti person, vazhdon të jetë në gjendje jo të mirë shëndetësore. Si pasojë e plagëve të marra, mjekët e konsiderojnë gjendjen e tij shëndetësore “mesatarisht të rëndë”. 

Siç mëson media, i plagosuri është operuar në krah dhe në pjesën e shpinës, ku i kishte marrë plagët.

Ndryshe, deri më tash rreth vrasjes janë deklaruar vetëm Policia e Kosovës, përmes një kumtese dërguar mediave. Ndërsa, në Prokurorinë Themelore të Prishtinës kanë refuzuar të japin detaje. Përkundër insistimit, prokurorja kujdestare që mori rastin refuzoi ta takojë ekipin e gazetës. 

“Mbrëmë rreth orës 22:00, policia ka marrë informacionin se në lagjen Mati 1 në Prishtinë, ka pasur të shtëna me armë zjarri. [...] Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëjë me vrasje dhe plagosje me armë zjarri, viktimat janë: M. G., 57 vjeç, femër, shtetase kosovare, e cila duke mos mundur t’u përballojë plagëve të marra nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e Policisë. 

“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, theksohet tutje nga PK-ja, duke vijuar tutje se “Xh. H., 47 vjeç, mashkull, shtetas kosovar, i plagosur nga arma e zjarrit, është dërguar për tretman mjekësor në QKUK”. 

“Lidhur me këtë ngjarje policia me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ka dërguar në qendrën e mbajtjes, një person të dyshuar: R. G., 62 vjeç, mashkull, shtetas kosovar, të njëjtit nga ana e policisë i është konfiskuar një armë e tipit CZ, e kalibrit 7.65mm (që dyshohet të jetë përdorur në rastin në fjalë), si dhe një karikator i zbrazët”, bën të ditur i njëjti njoftim i policisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat