Mësimdhënësi i arrestuar për drogë në Dubravë pranon fajësinë

Kronikë e zezë

Mësimdhënësi i arrestuar për drogë në Dubravë pranon fajësinë

Më: 19 janar 2017 Në ora: 19:05
Burgu, Dubravë

Sipas prokurorit, të pandehurit i janë gjetur 65 gramë marihuanë të fshehur tek organet gjenitale.

I akuzuari për futje të substancave narkotike në Burgun e Dubravës e ka pranuar fajësinë.

Kjo u bë e qartë nga vetë i pandehuri M.Gj. në seancën gjyqësore ku u shqyrtua kërkesa e prokurorit për masën e sigurisë ndaj tij.

“Nuk kam ku të ik se s’jam njeri aq i rrezikshëm. Unë kam pranuar fajin dhe jam penduar për atë që kam bërë”, deklaroi i pandehuri M.Gj. para trupit gjykues, pasi që prokurori Ardian Hajdaraj kërkoi që ai të mbahet në paraburgim sepse, sipas tij, ekziston rreziku që ai të arratiset ose të ketë ndikim te dëshmitarët.

Sipas prokurorit, i pandehuri e ka keqpërdorur pozitën zyrtare si mësimdhënës brenda Shërbimit Korrektuese të Dubravës duke shpërndarë aty narkotik.

Edhe M.Gj. tregoi se është mësimdhënës i gjuhës angleze në shkollën teknike “Mithat Frashëri”, në degën e saj në Dubravë.

Kërkesën e prokurorit për paraburgim të klientit të tij e kundërshtoi edhe avokati Muharrem Hoti, i cili kërkoi nga Gjykata në Pejë që të caktojë ndonjë masë si arresti shtëpiak ose ndalimin e afrimit me vendin dhe persona të caktuar.

I dyshuari M.Gj. sqaroi në këtë seancë se nuk paguhet nga Ministria e Drejtësisë dhe nuk është person zyrtar i Burgut të Dubravës.

“Rrogën e marr nga Ministria e Arsimit. Nënshkruhem çdo muaj në Shkollën Teknike”, tha ai.

Ndërsa, prokurori Hajdaraj tregoi se Prokuroria ka zhvilluar hetime nën dyshimin se i pandehuri gjatë kryerjes së detyrës zyrtare po kryente veprën penale blerje, posedim, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve  brenda burgut të Dubravës.

Ai tha së dje kur është ndaluar tek porta e hyrjes  së Burgut të pandehurit i janë gjetur 65 gramë narkotike të llojit marihuanë.

“Me datën 18.1.2017 rreth orës 12:40 është ndaluar nga policia me ç’rast i janë gjetur 64 gramë marihunë në organet gjenitale”, tha prokurori.

Së shpejti trupi gjykues pritet të marrë vendimin lidhur me masën e sigurisë.

Ndryshe dje përmes një njoftimi për media Ministria e Drejtësisë tha së ka arrestuar dhe parandaluar futjen e drogës në Shërbimin Korrektues të Dubraves nga një zyrtar i MASHT-ti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat