Zbulohet SMS-ja e fundit e çiftit të vrarë sot në Pogradec

Kronikë e zezë

Zbulohet SMS-ja e fundit e çiftit të vrarë sot në Pogradec

Më: 18 shkurt 2017 Në ora: 18:56
Ilustrim

Një konflikt mes një çifti të bashkëshortësh të rinj ka sjellë një tragjedi në një familje në fshatin Velçan të Pogradecit. Në sherr e sipër, Fatbardha Tora, 23 vjeç ka goditur burrin Erzen Tora, 26 vjeç me dru pas koke duke e lënë të vdekur në vend.

Më pas ajo ka dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar. Vëllai i Erzenit, Arnest Tora ka treguar se çifti nuk kishte konflikte apo probleme financiare. Ai tregon se i kanë dërguar një mesazh në celular “Hajde na merr te tokat bujqësore”, vend ku ai i ka kërkuar dhe s’i ka gjetur.  Më pas Arnesti ka kontrolluar në kasolle dhe i shokuar i ka parë të dy të pajetë ndërsa vajzën 3 vjeç e kishin lënë te fqinja dhe djalin 9-muajsh në banesë.
“Është një ngjarje shumë e rëndë që na ka shokuar të gjithëve.

Çifti nuk kishte probleme mes tyre, as probleme financiare. Jetonin në banesë të vetëm së bashku me dy fëmijët e mitur. Prindërit janë në Amerikë. Dje kam marrë një mesazh në telefon dhe teksti ishte ky: “Hajde na merr tek tokat bujqësore”. Kam shkuar tek tokat por nuk i kam gjetur. Jam kthyer tek banesa e tyre dhe i kam gjetur të dy tek kasollja e vjetër, të pajetë. Vajzën 3 vjeç e kishin lënë tek komshija, ndërsa djali 9 muajsh ishte në banesë i vetëm. Nuk e di se çfarë i ka shtyrë për të bërë këtë akt”, - shprehet Arnest Tora.

Sipas policisë, nga hetimet paraprake, dyshohet se këta shtetas gjatë natës janë konfliktuar dhe goditur fizikisht me njëri-tjetrin. Policia sqaron se më pas konflikti ka vijuar edhe jashtë banesës, konkretisht në një kasolle (pronë e tyre). Gruaja dyshohet të ketë goditur në kokë, me mjet të fortë (dru) bashkëshortin e saj, i cili për pasojë ka gjetur vdekjen. Pas këtij veprimi, ajo dyshohet të ketë konsumuar helm dhe për pasojë ka gjetur vdekjen edhe kjo e fundit, njofton policia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat