Tentuan të korruptonin punonjësit e policisë, arrestohen 8 persona

Kronikë e zezë

Tentuan të korruptonin punonjësit e policisë, arrestohen 8 persona

Më: 26 shkurt 2017 Në ora: 10:07
Ilustrim

Policia e Shtetit ka deklaruar se gjatë kësaj jave kanë intensifikuar punën për të goditur rastet e "Mitëdhënies" nga ana e qytetarëve në drejtim të punonjësve të policisë. Si pasojë e këtij aksioni kanë përfunduar në pranga 6 drejtues automjetesh dhe 2 persona të tjerë, pasi kanë tentuar t’i ofrojnë ryshfet punonjësit të policisë.

Bëhet e ditur se 6 raste janë goditur nga Policia Rrugore dhe 2 raste nga Policia Kufitare. “6 drejtues mjetesh janë arrestuar nga Policia Rrugore, pasi kanë tentuar të korruptojnë punonjësin e policisë, për t'i shpëtuar masës administrative për shkeljen e konstatuar, kryesisht për mos vendosje të rripit të sigurimit e shkelje të tjera të Kodit Rrugor”, thuhet në njoftimin për shtyp të policisë. Kjo e fundit ka shtuar se 2 shtetasit e tjerë janë arrestuar nga Policia Kufitare, pasi janë kapur në kufirin e gjelbër, në tentativë për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme dhe për këtë kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e policisë me qëllim që këta të fundit t'i lejonin për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Njëkohësisht Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve të mos u japin ryshfet punonjësve të policisë, pasi do të përballen me ligjin. “Nga ana tjetër ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo abuzim me detyrën të punonjësve të policisë, duke falënderuar qytetarët dhe median për denoncimet e rasteve korruptive nga ana e punonjësve të policisë deri tani. Bashkëpunimin me komunitetin për të parandaluar dhe goditur paligjshmërinë, Policia e Shtetit e çmon si shumë me vlerë dhe efikase dhe në këtë kuadër ftojmë cilindo që evidenton dhe konstaton një shkelje ta denoncojë, pasi së bashku ndërtojmë një ambient sa më të sigurt për qytetarët”, thuhet në njoftimin e policisë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat