Droga nuk ka fund, sekuestrohet 1.5 ton kanabis në Vlorë

Kronikë e zezë

Droga nuk ka fund, sekuestrohet 1.5 ton kanabis në Vlorë

Më: 4 prill 2017 Në ora: 18:20
Droga e gjetur

Një sasi e madhe droge është sekuestruar ditën e sotme në qytetin bregdetar të Vlorës.

Sot, rreth orës 12:00, mbi bazë të informacioneve të marra më parë, u bë i mundur që në bashkëpunim të DVP Vlorë, Delta Force dhe Guardia di Finanza, të kapen rreth 96 pako me drogë në zonën e Gjirit të Bristanit në Karaburun.

Operacioni policor i përbashkët për kapjen e lëndës narkotike ka filluar ditën e djeshme dhe për shkak të terrenit të vështirë dhe kohës me reshje është finalizuar sot. Sipas mediave shqiptare sasia e drogës së sekuestruar është rreth 1.5 ton lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva.

Gjithashtu po vazhdon kontrolli i territorit në një sektor të gjerë dhe të pyllëzuar për kapjen e autorëve të trafikimit të lëndës narkotike.

Njoftimi i policisë

Karaburun-Vlorë. Operacion antidrogë i zhvilluar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Delta Force dhe GdF. Sekuestrohet në Karaburun mbi 1 Ton lëndë narkotike. Me datën 03.04.2017, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë në bashkëpunim me atë Kufitare, Njësinë Speciale ‘DELTA” dhe Gdf, mbi bazën e një informacioni të marrë në rrugë operative nga Sektori për Narkotikët, organizuan punën dhe kryen një operacion anti-trafikim të lëndëve narkotike në zonën e Karaburunit. Me gjithë kushtet shumë të vështira të terrenit dhe të motit, me një det me forcë 4-5 ballë, operacioni vazhdoi gjatë gjithë natës dhe në orët e paradites të datës 04.04.2017.

Si rezultat në gjirin e Bristanit (Karaburun) rreth 100 metra nga bregu i detit, në shkurre u bë e mundur zbulimi dhe sekuestrimi i mbi 1 ton lënde narkotike e llojit cannabis sativa. Lënda narkotike ishte e paketuar në 96 pako të madhësive të ndryshme e destinuar për tu trafikuar. Operacioni është ende në vijim për kapjen e autorëve të mundshëm dhe të mjeteve të transportit. Territori po kontrollohet në një sektor të gjerë dhe të pyllëzuar. Lënda narkotike po transportohet me mjetet lundruese të GdF për në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat