Vdekja e dy peshkatarëve italianë në Shqipëri, dalin detaje të reja

Kronikë e zezë

Vdekja e dy peshkatarëve italianë në Shqipëri, dalin detaje të reja

Më: 10 prill 2017 Në ora: 07:55
Skafi, ilustrim

Po mbushen një muaj nga zhdukja në ujërat e Adriatikut e 2 peshkatarëve italianë Giuseppe Lanzilloti 46 vjec e Francesco De Biasi 48 vjec.

Familjarët konfirmojnë gjetjet e trupave të tyre në brigjet shqiptare, ndërsa nga autoritetet shqiptare nuk ka ende një prononcim zyrtar mbi ngjarjen.

Media në kontakt të drejtpërdrejtë me kolegët italianë të redaksisë së “Quotidiano di Puglia” të cilët po ndjekin eksluzivisht ngjarjen, ka konfirmimin e familjes së peshkatarit Francesco De Biasi 48 vjec, se trupi i tij është gjetur pak ditë më parë në afërsi të brigjeve të Durrësit. Vëllai e djali i tij gjënden aktualisht në Tiranë ku kanë njohur dhe identifikuar trupin e viktimës.

Gjithashtu Ora News ka kontaktuar dhe me zotin Vito Cellie, avokatin e familjes së peshkatarit tjetër Giuseppe Lanzilloti 46 vjeç, i cili informon se familjarët e tij kanë mbërritur sot në Shqipëri, duke u nisur mbrëmë nga Italia me anë të tragetit të linjës Bari-Durrës.

Familja e peshkatarit Giuseppe Lanzilloti ka udhëtuar në Shqipëri për të identifikuar trupin e të dashurit të tyre. Po ndërsa për peshkatarin Francesco De Biasi, konfirmohet vendgjetja e trupit të tij në afërsi të Durrësit, për Giuseppe Lanzilloti informacionet jo zyrtare flasin për gjetjne e tij në afërsi të brigjeve të Vlorës.

Avokati Cellie na informon se gjatë ditës së sotme do të kemi më shumë detaje mbi këtë fakt.

Po cfarë ka ndodhur me 2 peshkatarët italianë? Cilat janë arsyet e kësaj tragjedie?

Pikëpyetjet e kësaj ngjarje janë të shumta që nga nisja e tyre drejt Adriatikut.

Giuseppe Lanzilloti e Francesco De Biasi janë dy peshkatarë me eksperiencë. Deti është jeta, puna, pasioni i tyre. Në parditen e 14 marsit, Francesco De Biasi ankoron varkën e tij së bashku me mjetet e peshkimit në portin e vogël të qytezës së Torre Santa Sabina në provincën e Brindizit, ndërsa Giuseppe Lanzilloti nuk zotëron një varkë në pronësi të tij. Rreth  orës 12, dy peshkatarët italianë takohen së bashku në komunën e Carovigno po në provincën e Brindizit. Në brigjet e kësaj komune e në bordin e një mjeti lundrues në pronësi të një personi të tretë, ata janë nisur drejt Adriatikut.

Image
Giuseppe Lanzilloti e Francesco De Biasi

Këtu lind pikëpyetja e madhe e kësaj ngjarje. Pse ata duhet të lundronin me një mjet tjetër lundrues e pa marrë me vete mjetet e tyre të peshkimit?

Mjeti lundrues me të cilë u nisën ishte i gjatë rreth 6-7 metra në ngjyrë të bardhë, me një vijë blu e mbi të gjitha i pajisur me 2 motorra të fuqishëm jashtë bordit.

Pikëpyetja e dytë e kësaj ngjarje ka të bëjë me kushtet atmosferike të ditës së 14 marsit. Deti ishte i trazuar në shkallën 5 e moti mjaft i keq. Cilat ishin arsyet që dy peshkatarë me eksperiencë si ata pranojnë të lundrojnë në një det e mot të tillë e me një mjet lundrues që nuk ishte i tyre e që nuk e njihnin mirë?

Kontaktin e fundit dy peshkatarët italianë e kanë me pronarin e këtij mjeti lundrues, të cilin në mbrëmjen e datës së 14 marsit e telefonojnë duke i kërkuar ndihmë pasi janë duke u mbytur.

Të nesërmen më datë 15 mars familjarët e dy peshkatarëve italianë informojnë autoritetet detare që më orën 15.00 të po kësaj dite nisin kërkimet nga deti e ajri për gjetjen e tyre.

Kërkimet vazhdojnë pa sukses deri më 17 mars e prej kësaj dite asnjë  tjetër lajm mbi fatin e peshkatarëve italianë.

Vetëm dy ditë më parë, të gjitha mediat italiane shpërndajnë informacionin se trupat e tyre janë gjetur në bregdetin shqiptar, por deri më tani nga autoritetet shqitpare nuk ka një zyrtarizim të ngjarjes.

Por pikëpyetjet mbi fatin e 2 peshkatarëve italianë vazhdojnë ende. Familjarët e tyre përmes avokatit që i asisiton, kërkojnë të dinë;

1- Cilat janë arsyet e vdekjes së  Giuseppe Lanzilloti e Francesco De Biasi ?  2- Nëse ata janë mbytur,  ku është vendodhja ekzakte e kësaj tragjedie? Ku janë rekuperuar trupat e tyre?  3- Ku ka përfunduar mjeti lundrues i tyre; Është mbytur? Është rekuperuar? A është gjetur në bregdetin shqiptar?

4- A është bërë autopsia e trupave?

Avokati Vito Cellie sqaron se familjet e peshkatarëve kanë pranë Ambasadën italiane në Tiranë e cila po i ndihmon në zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme jemi në pritje të zhvillimeve të mëtejshme të kësaj ngjarje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat