"Përgjaken" rrugët, gjatë marsit 152 aksidente

Kronikë e zezë

"Përgjaken" rrugët, gjatë marsit 152 aksidente

Më: 19 prill 2017 Në ora: 13:37
Ilustrim

Instituti i Statistikave jep të dhënat e fundit për numrin e aksidenteve rrugore gjatë muajit Mars. Në dokumentin e INSTAT publikuar sot, përcaktohet totali i numrit të personave të aksidentuar gjatë tremujorit të parë të këtij viti, numri i personave që humbën jetën, si dhe grupmosha më e përfshirë në aksidentet rrugore.

“Në muajin Mars 2017 numërohen 152 aksidente rrugore. Në krahasim me Mars 2016, numri i aksidenteve është rritur me 10,9 %. Numri i të aksidentuarve është 213 persona nga 183 që ishte një vit më parë. Në tremujorin e parë 2017, numri i të aksidentuarve është ulur 4,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”

Sa i takon numrit të personave që humbën jetën INSTAT raporton: “ Numri i personave që humbën jetën gjatë Marsit është 16. Krahasuar me mesataren e personave të vdekur gjatë vitit 2016, ky numër është ulur me 28,6 %. Aksidentet rrugore, në 78,9 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit”

Sipas INSTAT numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grupmosha 25 – 35 vjeç. “Në Mars 2017, numri të aksidentuarve (vdekur apo plagosur) për 100.000 banorë ishte afërsisht 7 persona. Krahasuar me mesataren e vitit 2016, ky numër u ul me 8,1 %”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat