Në kërkim për mbledhje drogë, “kryeplaku” i Shkodrës arratiset në Itali - Bota Sot
Në kërkim për mbledhje drogë, “kryeplaku” i Shkodrës arratiset në Itali

Kronikë e zezë

E enjte, 27 korrik 2017

Në kërkim për mbledhje drogë, “kryeplaku” i Shkodrës arratiset në Itali

Më: 21 prill 2017 Në ora: 10:15
Ilustrim

Është shpallur në kërkim kryeplaku i dorëhequr prej një viti pasi u pajtua me përgjegjësitë penale që faturohen në rastet e konstatimit të lëndëve narkotike në zonën e tij.

Policia e Malësisë së Madhe bëri të ditur dje se ka shpallur në kërkim kryeplakun e fshatit Xhaj, Rrok Ducaj, 61 vjeç, pasi blutë asgjësuan 168 fidanë të dyshuar si bimë narkotike kanabis sativa në vendin e quajtur “Stanet e Draganit”, në fshatin Xhaj, njësia administrative Shkrel. 

Po ashtu policia ka proceduar në gjendje të lirë inspektorin e shërbimit pyjor në Bashkinë Malësi e Madhe, Dodë Durgaj, 59 vjeç, banues në fshatin Ducaj, shkruan Panorama.

Të dy këta shtetas akuzohen për “moskallëzim krimi” në lidhje me 168 fidanët e zbuluar në bjeshkët e Draganit. Bimët narkotike janë gjetur në një faqe mali të pyllëzuar në një parcelë të ndarë në forma, në të cilën kishte të mbjella në tokë në shishe plastike (me fundin e shisheve të prera), gjithsej 168 fidanë me lartësi nga 2 cm deri në 5 cm.

Në këtë mënyrë, forcat e policisë kanë proceduar në gjendje të lirë inspektorin e pyjeve, Dodë Durgaj, si dhe kanë shpallur në kërkim kryeplakun e fshatit Xhaj, Rrok Ducaj, duke qenë se dyshohet që nuk kanë dhënë informacion për bimët e mbjella. 

Sipas Policisë, kryepleqtë dhe inspektorët kanë përgjegjësi në rastet kur konstatohen bimë narkotike në sipërfaqe pyjore. Ky aksion është zhvilluar nga policia në kuadër të kontrolleve të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. 

Por siç mësohet, prej rreth një viti, kryeplaku i fshatit Xhaj në njësinë Shkrel, RrokDucaj, ish-kryetar i Partisë Socialiste në këtë zonë, e ka braktisur pozicionin që ka pasur prej rreth një viti, duke mos pranuar të jetë më kryeplak i fshatit. 

Që nga ajo kohë dhe deri më sot, askush tjetër nga ai fshat nuk ka pranuar që të emërohet apo zgjidhet si kryeplak pikërisht nga frika se mund të përfundojnë të prangosur nga policia për shkak të bimëve narkotike që asgjësohen.

Pavarësisht se Rrok Ducaj është dorëhequr prej një viti nga ky pozicion, duke qenë se askush tjetër nuk e ka marrë përsipër, për Policinë ai vazhdon të jetë në detyrë dhe e ka shpallur në kërkim. Po ashtu sipas burimeve pranë Rrok Ducaj, mësohet se 61-vjeçari prej 6 muajsh nuk ndodhet në Shqipëri, pasi është larguar në Itali, te disa të afërm të tij. 

Pavarësisht se ai ka dorëzuar detyrën dhe ndodhet jashtë Shqipërisë, Policia e ka shpallur person në kërkim si përgjegjës për moskallëzim të 168 fidanëve kanabis sativa. Pak ditë më parë, në Shkodër u zhvillua një mbledhje me dyer të mbyllura në prefekturën e qarkut Shkodër mes drejtorit të Policisë vendore, Alban Çela, dhe kryepleqve të fshatrave, i organizuar nga prefekti Paulin Radovani. 

Përveçse një përballje në tavolinë, ky takim ishte edhe për t’u treguar kryepleqve se ata kanë përgjegjësi në rast se në territoret që kanë marrë përsipër do të zbulohen apo asgjësohen bimë narkotike, duke u kërkuar që të informojnë strukturat e Policisë për çdo rast.

Nga ana tjetër, disa prej kryepleqve braktisën mbledhjen, duke mos qenë dakord me drejtues të Policisë mbi këto përgjegjësi. Ata u shprehën se nuk mund të ruajnë të vetëm të gjithë fshatin dhe se nuk është detyrë e tyre kjo gjë. 

Pavarësisht këtij reagimi kundërshtues, në takim u është komunikuar fakti se edhe kryepleqtë do të arrestohen apo procedohen në gjendje të lirë për rastet e zbuluara të kultivimit të bimëve narkotike. Pak ditë pas këtij takimi, vjen edhe ky rasti i kryeplakut të dorëhequr të fshatit Xhaj, Rrok Ducaj, i cili është shpallur në kërkim edhe pse nuk ndodhet brenda vendit. 

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test