"Nëse nuk bëja siç thonin ata...do më vrisnin - isha i vetëm"

Kronikë e zezë

"Nëse nuk bëja siç thonin ata...do më vrisnin - isha i vetëm"

Më: 25 maj 2017 Në ora: 15:55
Policia ne Tirane

Tre persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë grabitur makinën e një krutani, i cili ishte duke u kthyer për në banesën e tij në orët e para të mëngjesit të djeshëm.

Sipas Policisë, personat e maskuar dhe të armatosur i kanë dalë para automjetit, duke kërcënuar drejtuesin me iniciale A.H., të cilit kanë arritur t’i marrin makinën dhe të largohen me shpejtësi, duke e lënë të zotin e mjetit në mes të rrugës.

Menjëherë pas ngjarjes, drejtuesi i automjetit ka lajmëruar të afërmit dhe policinë. Ai ka denoncuar ngjarjen duke treguar detaje që mund t’i shërbejnë hetimit dhe identifikimit të autorëve.

A.H. ka treguar për policinë gjithçka kishte ndodhur, ndërsa ka kërkuar të zbardhet ngjarja, - shkruan Panorama.

“Isha duke u kthyer me makinë në shtëpi. Po udhëtoja nga Fushë-Kruja drejt Krujës, në rrugën nacionale, kur tre persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armës më dolën para dhe morën makinën. Ata më kërcënuan se do të më vrisnin nëse nuk bëja sikurse thoshin ata. Unë isha vetëm dhe nuk kisha alternativë tjetër veçse t’u bindesha. Kështu veprova, dola nga makina dhe ata e morën dhe ikën”, është shprehur i zoti i makinës, që ka pohuar gjithashtu se nuk kishte arritur të identifikonte autorët e ngjarjes, pasi ishin të maskuar dhe ishte errësirë.

“Nuk arrita t’i identifikoja pasi ishte shumë errësirë. Ata ishin me maska në kokë dhe mbanin në duar armë zjarri. Nuk e di kush mund të jenë autorët. Unë nuk kam konflikte me persona të tjerë. Kërkoj nga policia të zbardhet ngjarja dhe të vihen para drejtësisë autorët”, ka pohuar ndër të tjera për policinë A.H.

Policia ka nisur hetimet e po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të grabitjes së mjetit. Gjatë ditës së djeshme janë ngritur postblloqe në rrugët nacionale të rrethit Krujë dhe rrugët urbane, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk kishte asnjë rezultat konkret.

Paraprakisht dyshohet se autorët mund ta kenë grabitur makinën me qëllim për ta përdorur për ndonjë ngjarje kriminale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat