Vrasja në Vlorë/ Çfarë thanë dëshmitarët e vendit të ngjarjes, ndërsa vrasësi qëlloi mbi objektivin e tij

Kronikë e zezë

Vrasja në Vlorë/ Çfarë thanë dëshmitarët e vendit të ngjarjes, ndërsa vrasësi qëlloi mbi objektivin e tij

Më: 26 maj 2017 Në ora: 08:11
Roland Saliu

Roland Saliu dhe Erven Hyseni, dy viktimat e ngjarjes së rëndë që ndodhi mbrëmjen e të mërkurës në Vlorë, u përcollën dje pasdite për në banesën e fundit, të përcjellë nga qytetarë të shumtë, ndërkohë që, ende mbeten mjaft pikëpyetje rreth atentatit që u mori jetën në një lokal në Sheshin e Flamurit. Paqartësitë lidhen me motivin dhe mënyrën e ekzekutimit të tyre. Ndërsa, për identitetin e autorëve, nuk bëhet fjalë. Të paktën deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.

Shoqërimet

Policia ka shoqëruar deri tani rreth 20 persona, të cilët janë marrë në pyetje dhe më pas janë lënë të lirë. Hetimet vazhdojnë me intensitet, por nuk jepen detaje rreth tyre. Policia është shumë hermetike në ruajtjen e sekretit të tyre, për shkak të procedurës hetimore. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, janë marrë në shqyrtim ngjarje të largëta dhe të afërta, për të arritur në konkluzione qoftë edhe të përafërta, çka do të çonte ne saktësimin e pistës së hetimit. Po shqyrtohet vëllimi i materialit informativ të transmetuar nga Televizioni “Vlora Channel”, javët dhe muajt e fundit, si një mundësi për të ngritur një pistë hetimore, por, paralelisht me këtë po punohet edhe në drejtime të tjera. Paraprakisht ka dyshime se, objektivi i atentatit të jetë biznesmeni 40- vjeçar Erven Hyseni, pronar i Televizionit “Vlora Channel”, si edhe i një hoteli e bar restoranti, të vendosura në të njëjtën godinë, në “Sheshin e Flamurit”. Një burim konfidencial policor tha se, janë sekuestruar materialet filmike të kamerave të sigurisë së hotelit, prej ku është arritur të përvijohet statura fizike e atentatorit, që mendohet të jetë rreth 35 vjeç. Ndërkohë, pista e hakmarrjes, mendohet se përbën edhe fokusin kryesor në procesin hetimor.

 

Dëshmitarët

Por, ndërkohë, dëshmitë e qytetarëve të ndryshëm, duken disi më të detajuara, pavarësisht se janë kontradiktore. Sipas tyre, askush nuk ka parë se si është afruar atentatori, apo atentatorët, dhe si ka realizuar ekzekutimin. Saliu dhe Hyseni, ndodheshin në pjesën e verandës së lokalit në katin e parë të godinës, ku, në ato momente nuk kishte klientë të tjerë. Pak minuta përpara se të dëgjoheshin krismat, në afërsi të vendit të ngjarjes, ndodheshin edhe vajza 5-vjeçare e Hysenit me një vajzë tjetër të lagjes, por ato janë zhvendosur më tej duke lozur me njëra- tjetrën dhe duke lënë në shesh biçikletën me të cilën po argëtoheshin. Ishte kjo biçikletë që u filmua nga kamerat, si një dëshmi rrëqethëse e asaj që ndodhi më pas. “Dëgjuam krisma me breshëri të zgjatur, por jo krisma me atë zhurmë që mund të bëjë “Kallashnikovi”, por shumë më të buta, si fishekzjarre”, thotë një qytetar, që ndodhej jo shumë larg vendit të ngjarjes. Madje, ai këmbëngul se askush nuk ka parë se çfarë ka ndodhur në ato moment. Nuk dihet nëse autori, apo autorët, janë afruar në këmbë apo me automjet. Në këto kushte, ai hedh dyshime për autoveturën e gjetur pak më pas në afërsi të fshatit Panaja dhe lidhjen që i bëhet asaj me ngjarjen. Një dëshmitar tjetër tregon se trungjet e holla të pemëve dekorative të mbjella përgjatë trotuarit që qarkon lokalin, janë shpuar nga plumbat dhe disa gëzhoja gjenden të shpërndara pranë tyre.

Ndërkohë, familjarët e biznesmenit Erven Hyseni, kanë akuzuar policinë e cila, sipas tyre, ka ndërhyrë me vonesë.

Lamtumira  

Gjatë ditës së djeshme, në dy familjet e viktimave situata ishte e rëndë. Gjatë gjithë paradites deri në orët respektive të varrimit, qindra qytetarë u kanë shprehur ngushëllimet familjarëve. Fillimisht është përcjellë për në banesën e fundit, drejtori i OSHEE-së, Roland Saliu, baba i tre vajzave. Atmosferën e rëndë dje, në qytetin e Vlorës, e bëri edhe më të përzishme shiu i rrëmbyer që ra gjatë gjithë pasdites dhe që shoqëroi një pjesë të madhe të momenteve të varrimit.

 

Makina e Panajasë ishte vjedhur në Durrës

Makina që është përdorur nga autorët e vrasjes së biznesmenit Mirvjen Hysenit dhe drejtorit të OSHEE-së Roland Saliut në Vlorë, rezulton se ka qenë e vjedhur para 10 ditësh. Automjeti tip ‘BMV’ me targa AA 348 PC, i cili është gjetur i djegur nga policia në Panaja të Vlorës, menjëherë pas atentatit. Pas ekzaminimeve të para ka rezultuar se kjo makinë është grabitur 10 ditë më parë në qytetin e Durrësi. Atentati ndaj Hysenit dhe Saliut u bë në një zonë nga zonat më të populluar të Vlorës, në ‘Sheshin e Flamurit. Mësohet se autorët janë filmuar nga kamerat e sigurisë së lokalit dhe pas tyre është vënë në ndjekje policia. Pasi qëlluan me breshëri në drejtim të lokalit ku ndodheshin dy viktimat, ata u larguan me shpejtësi, ku më pas uniformat blu kanë gjetur të braktisur dhe të djegur mjetin e përdorur nga atentatorët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat