Aksidenti me vdekjen e 2 fëmijëve në Qerret, ja akuza për 4 zyrtarët

Kronikë e zezë

Aksidenti me vdekjen e 2 fëmijëve në Qerret, ja akuza për 4 zyrtarët

Më: 3 qershor 2017 Në ora: 20:51
Ilustrim

Segmenti rrugor Durrës-Kavajë, në të cilin më 7 maj 2016 u aksidentuan për vdekje dy fëmijë, 3 dhe 5 vjeç, motër e vëlla, është lejuar nga autoritetet shtetërore të shfrytëzohej jashtë kushteve teknike të sigurisë për jetën, shkruan “Panorama”.

Ky është konkluzioni i Prokurorisë së Tiranës, e cila ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar si të pandehur në gjykatë katër zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar, të cilët kanë firmosur kolaudimin e këtij segmenti rrugor më 23 shkurt 2015. Të pandehurit Ardian Kroi, Astrit Qafa, Ardian Nako dhe Malvina Kallabaku do të përballen në gjykatë me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Aksidenti rrugor që shërbeu për nisjen e këtij hetimi ndodhi pranë fshatit Qerret, në një vend ku zinxhiri i parmakëve metalikë mbrojtës në anë të rrugës ndërpritej për të krijuar futjen në një pikë karburanti. Në aksident mbetën të vrarë dy fëmijët e mitur Aliçe dhe Dritan Negollari, si dhe mbeti e plagosur nëna e tyre, drejtuesja e mjetit, Silva Negollari, dhe fëmija i tretë i saj.

SHKAKU I VDEKJES

Nga hetimi ka rezultuar se vdekja e dy fëmijëve të mitur nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor nga e ëma e tyre, e cila ishte në drejtim të mjetit. Sipas Prokurorisë, shkaku kryesor, përcaktues i ardhjes së pasojës së rëndë ka qenë elementi horizontal i mbrojtëses metalike anësore të rrugës. Kjo do të thotë, shprehet Prokuroria në kërkesën për gjykim, se rruga është lejuar të shfrytëzohet jashtë kushteve teknike të sigurisë në rrugë dhe të jetës.

HETIMI

Sipas Prokurorisë së Tiranës, katër të pandehurit, anëtarë të grupit kolaudues të caktuar nga Drejtoria e Përgjithshme e ARRSH-së, me veprimet e mosveprimet e tyre kanë certifikuar si të shfrytëzueshme një rrugë (Loti 5) me mangësi të theksuara rrezikshmërie shoqërore për shëndetin (jetën) e sigurinë nga përdorimi i rrugës.

Në këtë mënyrë, vijon Prokuroria, ata nuk kanë kryer detyrën e tyre funksionale, parashikuar në ligjin dhe në aktet nënligjore të cituara. Nga ana e Prokurorisë pretendohet se katër kolauduesit e dërguar si të pandehur në gjyq, duke e shpallur rrugën si të shfrytëzueshme, kanë shkelur të drejtat dhe detyrat e përcaktuara në ligjin dhe udhëzimet që normojnë veprimtarinë e tyre.

Prokuroria hedh poshtë dhe pretendimin e të pandehurve se mbyllja e hapësirës nuk është bërë për shkak se ekzistonte një vendim gjykate, masë sigurimi. “Kolauduesit nuk kishin pse t’u referoheshin vendimeve gjyqësore, cilado qofshin ato, por të vlerësonin anën teknike, cilësore e funksionale të rrugës, gjendjen jashtë kushteve teknike të domosdoshme të mbrojtëses metalike (guardrarelës)”, theksonte organi i akuzës.

Në aktin kolaudues, ata nuk duhej ta shpallnin rrugën të shfrytëzueshme, por përmes këtij akti të shprehnin rezervën e tyre (me kolaudim pjesor, siç ka parashtruar mbikëqyrësi i punimeve) se rruga lejonte mundësi rrezikshmërie të rëndë, për të vepruar më pas ARRSH-ja dhe të ishte kjo e fundit për të vendosur se si do të veprohej më tej.

“Janë pikërisht veprimet dhe mosveprimet me dashje arsyeja që i ngarkon me përgjegjësi për veprën penale të ‘shpërdorimit të detyrës’, parashikuar nga neni 248 i K. Penal, të katër kolaudistët Ardian Kroi, Astrit Qafa, Ardian Nako dhe Malvina Kallabaku”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat