Qytetari tenton të vetëdigjet me benzinë në Gjykatë, zbulohet arsyeja

Kronikë e zezë

Qytetari tenton të vetëdigjet me benzinë në Gjykatë, zbulohet arsyeja

Më: 14 qershor 2017 Në ora: 18:19
Pamje nga ngjarja

Një 59-vjeçar nga Durrësi ka tentuar që t’i vërë flakën vetes me benzinë në ambientet e gjykatës së Shkallës së parë. “BalkanWeb” mëson se Andon Shkodra, banor i lagjes nr.18 në qytetin bregdetar ka tentuar të vetëflijohet për herë të tretë brenda 10 ditësh. Shkak është bërë një vendim i gjykatës së shkallës së parë të Durrësit, i cili daton në fillim të këtij muaji, ku Shkodrës i urdhërohet të lërë banesën ku jeton.

“BalkanWeb” raporton se 59-vjeçari me një shishe benzinë në dorë në orën 11:00 të paradites ka hyrë në ambientet e gjykatës dhe në mënyrë demonstrative ka tentuar të spërkatet me benzinë por është ndaluar nga një punonjës police që gjendej aty. Dëshmitarët pohuan se burri u ndalua në momentin e fundit nga polici i gjykatës. Fill pas kësaj, Shkodra është dërguar në polici, në gjendje të rënduar mendore. Burimet policore bënë me dije për “BalkanWeb” se kjo është hera e dytë brenda 48 orësh që 59-vjeçari tenton të vetëdigjet në gjykatë. Sipas të njëjtave burime, disa vjet në parë Shkodra ka dhënë truallin e banesën ku jetonte një firme për të ndërtuar një pallat. Marrëveshja e bërë me pronarin e firmës nuk është zbatuar, pasi ky i fundit ndërroi jetë.

Më pas Shkodra ka kërkuar hyrje por me vendim gjykate është nxjerrë nga banesa pas ndërtimit të pallatit. “Pretendimet e tij kanë të bëjnë me truallin që ka dhënë për banesën e nuk ka përfituar“, pohojnë burimet e policisë së Durrësit, të cilat e kanë marrë në pyetje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat