Atentati, hetimet: Dalipaj e Dauti rrinin në një hotel luksoz me zyrtarë policie

Kronikë e zezë

Atentati, hetimet: Dalipaj e Dauti rrinin në një hotel luksoz me zyrtarë policie

Më: 17 qershor 2017 Në ora: 09:01
Ervin Dalipaj

Afro dy muaj pas ekzekutimit në një atentat mafioz të ish-shefit të Krimit Ekonomik në Tiranë, Ervin Dalipaj dhe mikut të tij 27-vjeçar, Juxhin Dauti, prokuroria e Durrësit ka hedhur dritë në lidhje me hetimet e kryera për ngjarjen e ndodhur në afërsi të “Mbikalimit të Sukthit”.

Hetuesi e çështjes kanë bërë të ditur për “Gazeta Shqiptare” se hetimet për vrasjen e dyfishtë që tronditi opinionin publik mesditën e 25 prillit pritet të marrin tjetër rrjedhë pas përfundimit të analizimit të tabulateve telefonikë dhe të aparateve celularë të dy viktimave që po analizohen nga policia shkencore në Tiranë. 

“Të dy viktimat strehoheshin në Durrës. Flinin në një hotel superluksoz në plazh, ndërsa aty qëndronin dhe ish-drejtues të lartë të policisë (në atë kohë ishin në detyrë). Dalipaj dhe i riu nga Vlora kanë lëvizur me eskortë dhe shpeshherë kanë drekuar me zyrtarë të policisë. Ata kanë pasur aktivitet të ngjeshur këtu në Durrës, sepse këtu kishin shoqërinë dhe miqtë e tyre. I çuditshëm është fakti që Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) nuk kishte asnjë informacion për ta. Kërkuam informacion nga SHISH, por na thanë që nuk i njihnin fare dy viktimat. “SHISH survejon të gjithë prokurorët e gjykatësit me kë takohen, me kë rrinë e me kë pinë kafe, ndërkohë që nuk ka asnjë informacion në lidhje me grupet kriminale, apo me viktimat e atentatit, ku njëri prej të cilëve ishte i shpallur në kërkim prej më shumë se një viti për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut”, thanë burime nga prokuroria e qytetit bregdetar.

Ndërkaq, burimet e mësipërme pohuan se organi i akuzës ka kërkuar që në fashikujt e dosjes të jenë sa më shpejt edhe tabulatet telefonikë. Mësohet se kompanive celulare u është kërkuar që nëpërmjet antenave më të afërta të sjellin informacionin e nevojshëm, ndërsa policia shkencore është duke analizuar çdo qelizë të telefonave të dy viktimave, për të parë e verifikuar telefonatën e fundit që i ka nxjerrë në pritë ditën që ndodhi ngjarja. 

Gjithashtu, burimet nga prokuroria e Durrësit deklaruan se policia është e vonuar me hetimet, të cilat nuk kanë ecur me ritmet e pritshme. Burimet u shprehën se, “vrasja është shumë e vështirë për t’u zbardhur. Kjo, nisur edhe nga fakti se 37-vjeçari Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti kishin mbështetje të madhe nga policia e Tiranës dhe ajo e Durrësit. Dalipaj ishte në kërkim, ndërsa shëtiste i lirë pa asnjë problem.

Hetimet per atentatin

Sipas prokurorisë, pistat e hetimit të vrasjes së Ervin Dalipajt dhe të Juxhin Dautit mbeten dy: ajo e hakmarrjes për vrasjet për të cilat të dy viktimat ishin të akuzuar dhe pista e dytë e mundshme është ajo e trafikut të drogës. Të dy viktimave iu gjetën 7 mijë euro para kesh me vete dhe sende me vlerë. Fakti që nuk punonin, por që jetonin në hotelet më luksoze të Durrësit, lëviznin me eskortë dhe me makina super të shtrenjta të çojnë në dyshime se ekzekutimi i tyre mund të ketë lidhje me trafikun e drogës”, bënë me dije burimet nga prokuroria e Durrësit. 

Po sipas këtyre burimeve, atentati i dyfishtë ka shumë elementë të paz-bardhur ende. Oficerët e policisë së Durrësit nuk kanë mundur të sigurojnë provat që të lidhin vrasjen e Dalipajt dhe mikut të tij, Dauti me një grup kriminal që dyshohet se ka aktivitet në zonën e Durrësit. Kjo është një prej pistave që po heton policia lokale në lidhje me atentatin e dyfishtë ndodhur mesditën e 25 prillit në rrugën dytësore Vorë-Sukth.

Hetuesit nuk japin detaje për shkak të sekretit hetimor, por dyshojnë se dy viktimat kanë rënë pre e një hakmarrjeje nga një grup kriminal, që dyshohet se ka pasur lidhje me Gazmend Çollakun.  Nga hetimet e kryera përgjatë kësaj kohe, prokuroria e Durrësit ka zbardhur “misterin” e makinës tip “Audi S8” me targa AA 111 OI, në të cilën u ekzekutuan me 32 plumba ish-shefi i Krimit Ekonomik në Tiranë Ervin Dalipaj dhe i riu nga Vlora, Juxhin Dauti. Sipas he-tuesve, automjeti superluksoz me të cilin udhëtonin dy viktimat para atentatit ishte porositur nga Shqipëria në Gjermani nga Dauti.

“Makinën (është testuar në Gjermani në shkurt të këtij viti gjatë një eventi garash) e bleu 27-vjeçari, por paratë nuk i kishte paguar, shkruan gsh.Pronari i koncesionarit, i cili e kishte dhënë makinën sipas kërkesës së klientit të tij, nuk është kthyer në Shqipëri pas kësaj ngjarjeje dhe nuk është bërë dot e mundur marrja e tij në pyetje”, deklaruan burimet nga prokuroria e Durrësit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat