Rrahet keq polici që sekuestroi drogën në Mitrovicë

Kronikë e zezë

Rrahet keq polici që sekuestroi drogën në Mitrovicë

Më: 23 qershor 2017 Në ora: 10:26
Kanabisi

Pjesëtari i Njësitit anti-drogë në kuadër të Policisë së Kosovës, Nebojsha Miliq nga Mitrovica, është rrahur nga dy persona deri tani të paidentifikuar, me ç’rast ka marr lëndime trupore dhe është trajtuar në spital.

Sipas këtyre burimeve, ngjarja ka ndodhur të enjten pasdite në rrugën ‘Bislim Bajgora’ në jug të Mitrovicës, derisa viktima ishte në detyrë, përkatësisht duke ecur këmbë vetëm, dhe në rroba civile.

“Dje rreth orës 15:00 derisa viktima po ecte këmbë afër stacionit të policisë në jug të qytetit, dy persona kanë dalë nga një automjet të markës Audi A3, ngjyrë të zezë dhe me targa 02 502 -.. (dy shkronjat tjera nuk dihen v.j.) dhe kanë filluar ta rrahin me grushte e shqelma viktimën, derisa është rrëzuar përtokë dhe ka humbur ndjenjat. Sulmuesit kanë ikur shpejt me automjetin e tyre në drejtim të veriut të Mitrovicës”, kanë thënë burimet.

Burimet më tej kanë shtuar se sulmuesit dyshohet të jenë shqiptarë të porositur nga bosët e drogës në veri, dhe se incidenti ndërlidhet me aksionin e policisë të një dite më parë po ashtu në veri, ku viktima kishte marr pjesë në sekuestrimin e një sasie të madhe të drogës. Incidentin e ka konfirmuar  edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, por nuk ka dhënë detaje.

“Në orët e mesditës së datës 22 qershor 2017, një pjesëta i Policisë është sulmuar fizikisht në Mitrovicë. Si pasojë e sulmit zyrtari policor ka pësuar lëndime i cili ka kërkuar tretman mjekësor në spitalin rajonal në Mitrovicë”, ka thënë Zahiti.

Sipas tij, hetuesit policorë kanë nisur hetimet dhe janë në kërkim të personave të dyshuar përfshirë edhe veturën me të cilën të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes dhe se rasti po hetohet për vepër penale ‘sulm ndaj personit zyrtar’. Ndryshe,është raportuar dje se një sasi prej rreth 4 mijë rrënjë të bimës marihuanë të mbjellura në një parcelë në fshatin Llozhishte të komunës së Zveçanit, janë sekuestruar të mërkurën nga Njësiti anti-drogë i Policisë së Kosovës. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat