Shkatërrohet rrjeti shqiptar që trafikonte drogë në Athinë

Kronikë e zezë

Shkatërrohet rrjeti shqiptar që trafikonte drogë në Athinë

Më: 4 korrik 2017 Në ora: 15:30
Provat e konfiskuara

Një grup i trafikut të drogës është zbuluar nga policia greke. Kjo e fundit ka deklaruar se ky rrjet ishte i përbërë vetëm me shtetas shqiptarë.

Pas një operacioni të mirëorganizuar, këtë të martë janë arrestuar gjashtë persona, një prej të tyre femër.

Mediat greke shkruajnë se ata akuzohen si pjesëtarë të një rrjeti që trafikonte drogë në qendër të Athinës, por edhe në disa ishuj të Greqisë.

“Gjatë kontrolleve në dy banesa në zonën e Pireut, që shërbenin për magazinimin e drogës, policia gjeti dhe sekuestroi me cilësinë e provës 15,8 kg kanabis, 38 gramë kokianë”, deklaron policia vendase.

Gjithashtu bëhet e ditur se një sasi e këtij kanabisi ishte përgatitur që të dërgohej në ishullin Lesvos.

Në kuadër të operacionit janë sekuestruar gjithashtu, dy automjete, një motoçikletë, dy peshore precizioni dhe 13 celularë.

Policia thotë gjithashtu se ka vërtetuar 80 raste të trafikimit të drogës nga rrjeti në fjalë.

Ndërkohë të gjashtë të arrestuarit pritet të dalin para prokurorit të Pireut që do t’iu komunikojë akuzat, dhe sipas të gjitha gjasave edhe masën e paraburgimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat