Rritet numri i aksidenteve me fatalitet krahas vitit të kaluar

Kronikë e zezë

Rritet numri i aksidenteve me fatalitet krahas vitit të kaluar

Më: 26 korrik 2017 Në ora: 23:58
Ilustrim

Jeton Rexhepi nga Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ka më shumë aksidente me fatalitet se sa në gjashtëmujorin e kaluar.

“Kohët e fundit, por edhe gjatë ditës së sotme janë shkaktuar një numër i konsiderueshëm i aksidenteve”, tha Rexhepi duke bërë të ditur se prej këtyre aksidenteve ka pasur edhe të tillë me fatalitet dhe me persona të lënduar.

“Sot kemi pasur aksident trafiku me fatalitet që ka ndodhur në Gjakovë”, shtoi ai.

Tutje, ai tregoi që sipas raporteve dhe zyrtarëve në terren, nga aksidentet tjera sot, ka persona që kanë pësuar lëndime por që nuk janë aq serioze.

Pavarësisht se pohoi që Policia e Kosovës është angazhuar, në 6 mujorin e parë të këtij viti nuk ka pasur zbritje të aksidenteve me fatalitet, madje janë katër persona më shumë që kanë vdekur se sa në gjashtë mujorin e kaluar.

Ndërsa për aksidentet me dëme thotë se ka pasur një rënie prej 4.8 përqind.

Ai tregoi se në gjashtëmujorin e parë, në trafik kanë humbur jetën 54 persona, prej tyre 24 shoferë, 12 pasagjerë, 18 këmbësorë.

Ndërkaq prej viktimave ai bëri të ditur se janë 3 çiklistë.

Në anën tjetër, Kryetari i Federatës së Çiklizmit të Kosovës, Avni Nuha, kërkoi që në të ardhmen të bëhet një punë më e madhe me policinë dhe Ministrinë e Infrastrukturës që të rregullohen sa më shumë shtigjet e biçikletave.

“Me të vërtetë rrugët janë të ngushtuara dhe qytetarët janë duke vozitur jo me rregullimin e shtegut dhe shpejtësisë”, tha ai.

“Ka edhe çiklistë të reprezentacionit të Kosovës që janë dëmtuar”, tha Nuha duke treguar se vetëm njëri prej tyre do të shkojë në Danimarkë.

Ai tregoi që sot ka qenë tërë ditën në spital, dhe për çiklistin që së fundi mbeti i lënduar rëndë, tregon se tash e ka gjendjen stabile.

Nuha dha hollësi duke treguar se çiklisti u dërgua në emergjencë për arsye se reparti inteziv kishte qenë i stërmbushur me aksidente.

“Para një ore është dërguar në repartin e kirurgjisë abdominale”.

Në anën tjetër, Rexhepi tha se Policia nga janari po zbaton planin e bazuar në planin zhvillimor të Policisë së Kosovës, duke treguar se deri tash janë lansuar 3 projekte të ndryshme për sensibilizimin e pjesëmarrësve të trafikur.

Për më shumë, Rexhepi tha se rekomandimet ua dërgojnë Ministrisë së Infrastrukturës e cila duhet t’i zgjidhë këto probleme në trafik.

Sidoqoftë, ai foli për një bashkëpunim me Kuvendet Komunale dhe për Ministrinë e Infrastrukturës sa i përket marrjes së masave parandaluese për këto aksidente.

Për fund, Nuha, kërkoi që shoferët të jenë më të vetëdijësuar, më të kujdesshëm, si dhe më vigjilentë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat