Befason me dëshminë, pengu që e nxori Policia nga bagazhi: Jo, nuk isha rrëmbyer

Kronikë e zezë

Befason me dëshminë, pengu që e nxori Policia nga bagazhi: Jo, nuk isha rrëmbyer

Më: 16 gusht 2017 Në ora: 14:15
Foto ilustruese

Një borxh i pakthyer prej 4 000 mijë eurosh është bërë shkak për një pengmarrje në Velipojë, ku huadhënësi dhe huamarrësi kishin lënë takim për shlyerjen e detyrimit financiar. Por, pas debateve situata është përshkallëzuar. Policia e Shkodrës bën të ditur se autori i akuzuar për pengmarrje quhet Dodë Gjikolaj, ndërsa personi i marrë peng është Pjetër Narkaj. 

38­-vjeçari Gjikolaj, pasi nuk ka marrë atë që priste në takimin e lënë mbrëmjen e së hënës në Velipojë, shumën e parave prej 4 mijë eurosh, ka detyruar Narkajn duke i vënë pistoletën në kokë që të hyjë me forcë në makinën e tij, një makinë tip “Smart”, me targë Aa 681 BF. Më pas, ata kanë udhëtuar nga Velipoja drejt një banese në periferi të Shkodrës.

Kanë qenë familjarët e Pjetër Narkajt të cilët i kanë telefonuar policisë, pasi ai nuk u përgjigjej në telefon. Të vetëdijshëm për borxhin që i kishte 38­vjeçarit, ata kanë kërkuar ndihmën e policisë për të shmangur ndonjë ngjarje të rëndë.

Pas njoftimit, policia është vënë në ndjekje të tyre dhe pas disa orësh, ka arritur që të ndalojë dy personat në fjalë në një banesë në periferi të qytetit të Shkodrës, ku ata kanë qëndruar për disa orë. Sipas hetimeve të deritanishme, rezulton se mes këtyre dy personave ka pasur një marrëveshje për kthimin e borxhit mbrëmjen e së hënës. Palët janë takuar, por situata shumë shpejt është përshkallëzuar, pasi 31­ vjeçari Narkaj nuk i ka kthyer borxhin.

I arrestuari i akuzuar për pengmarrje, Dodë Gjikolaj, nuk e ka pranuar një fakt të tillë gjatë marrjes në pyetje në Komisariatin e Policisë Shkodër.

Para efektivëve, 38­-vjeçari u shpreh se ishin takuar për t’u marrë vesh për shlyerjen e borxhit. Këtij versioni i ka qëndruar edhe 31-­vjeçari Pjetër Narkaj, i cili para policisë ka mohuar të jetë marrë peng për shkak të borxhit të pashlyer.

Pavarësisht këtyre deklarimeve, 38-­vjeçari Dodë Gjikolaj, lindur në Kurbnesh, Mirditë dhe banues në Velipojë, do të akuzohet për pengmarrje, ndërsa policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat