Dhuna seksuale dhe një padi e rrallë: Më përdhunon i fejuari

Kronikë e zezë

Dhuna seksuale dhe një padi e rrallë: Më përdhunon i fejuari

Më: 16 gusht 2017 Në ora: 20:31
Foto ilustrim

Dhuna seksuale në vend mbetet një shqetësim i madh, pavarësisht se problemi nuk merr vëmendjen e duhur në media.

Sipas statistikave, që nga muaji janar, 30 persona kanë përfunduar në pranga për vepra të turpshme me të mitur, shumica e këtyre veprimeve janë kryer në vende publike që nga zhveshja deri tek prekja e trupit të fëmijës.

63-vjeçari Xhemal Picari është i dyshuari më i fundit që  përfundoi në paraburgim me masën arrest me burg.

Ai dyshohet të jetë zhveshur në banesën e tij përpara vajzës 6-vjeçare të djalit.

Ky veprim është kallëzuar në polici dy vjet më vonë, pasi fëmija u shpreh në Itali përmes vizatimeve tek një psikologe.

Por i moshuari i tha gjykatës se është i pafajshëm, pasi ka rënë viktimë e një plani të djalit, i cili sipas tij kërkon t’i marrë shtëpinë.

“Gjatë hetimeve do të zbulohen, patjetër që po. E vërteta do të dalë. Këta kanë prova tipike, siç pretendoi akuza, në lidhje me faktin, të cilat parashikohen nga Kodi për nisjen e procedimit. Megjithatë këto nuk janë statike si prova”, shprehet avokati Arben Gramo.

Prej katër vjetësh psikologë për të miturit në Gjykatë, Lindita Allka këmbëngul se krimet seksuale janë në rritje e për këtë komuniteti duhet të informohet.

“Duhet patjetër që komuniteti ku ai ka jetuar, ose është kthyer në lagje pas përfundimit të dënimit të njoftohet që ky person ka të tillë vepër penale. Duhet të ndodhë që të mos përsëritet më si fenomen”, shprehet Lindita Allka.

Në Gjykatën e Tiranës janë nën gjykim 13 persona që akuzohen për vepra të turpshme, mes tyre edhe mësues.

Ndërkohë një padi e rrallë është regjistruar në Tiranë.

Një 20-vjeçare ka denoncuar në Policinë e Tiranës të fejuarin e saj, pasi prej muajsh abuzohej seksualisht nga ai.

Menjëherë pas këtij kallëzimi policia ka nisur kërkimin për 30–vjeçarin me inicialet J.H, banues në kryeqytet.

“Më datë 15.08.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasit J.H, vjeç 30, banues në Tiranë, pasi dyshohet se për një periudhë disa mujore, ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, ndaj të fejuarës R.L, vjeç 20, banuese në Tiranë,” thuhet në njoftimin zyrtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat