Zbulohet vila e drogës në Vlorë, dy të arrestuar

Kronikë e zezë

Zbulohet vila e drogës në Vlorë, dy të arrestuar

Më: 3 shtator 2017 Në ora: 11:36
Pamje nga aksioni i policisë

Një sasi e konsiderueshme droge është sekuestruar gjatë një operacioni të policisë së Vlorës dhe “Delta Forcë” të zhvilluar orët e natës dhe dy persona janë vënë në pranga.

Operacioni “Mesnata” është zhvilluar në lagjen “24 Maji”, në një banesë 4-katëshe, në pronësi të Artan Kalemit. Në katin e dytë dhe të katërt të banesës është konstatuar dhe sekuestruar nga policia një sasi lënde narkotike kanabis sativa me peshë totale prej 725 kg e 200 gr. Gjithashtu janë sekuestruar dy automjete.

Si rezultat i operacionit janë arrestuar në flagrancë: Artan Kalemi, 34 vjeç dhe Xhemil Kalemi, 41 vjeç (të dy banues në Vlorë), i cili në përfundim të hetimeve rezultoi i përfshirë në këtë vepër penale.

Njëkohësisht në bashkëpunim me Prokurorinë, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në D.V.P.Vlorë po vijojnë verifikimet dhe veprimet, me qëllim sekuestrimin e vilës dhe një ambienti biznesi, për të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal në fushën e narkotikëve, bëjnë me dije burime zyrtare nga Policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.

Aksioni vjen në kuadër të Planit Operacional Kombëtar për evidentimin dhe goditjen e rasteve të prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe për sekuestrimin e pasurive të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat