Prokuroria sekuestron 285 mijë m2 në Rana e Hedhun e Shëngjin

Kronikë e zezë

Prokuroria sekuestron 285 mijë m2 në Rana e Hedhun e Shëngjin

Më: 26 shtator 2017 Në ora: 14:57
Ilustrim

Prokuroria e Lezhës ka sekuestruar një sipërfaqe totale prej 285 mijë metra katrorë tokë në zonën bregdetare Rana e Hedhun, në Shëngjin, e dyshuar se është përfituar në bazë të dokumentave të falsifikuara.

Sipërfaqja e sekuestruar është e ndarë në 5 parcela dhe aktualisht gjendet në pronësi të disa personave.

Prokuroria e Lezhës nisi hetimin në bazë të kallëzimit të një shtetasi, i cili posedon dokumenta zyrtare për pronësinë e tij mbi këtë tokë, por që në fakt rezulton se është regjistruar në emër të personave të tjerë.

Në bazë të veprimeve hetimore, Prokuroria e Lezhës ka krijuar dyshimet e arsyeshme se 5 parcelave iu është ndryshuar në mënyrë të kundërligjshme zëri kadastral nga zonë pyjore, në zonë në pemtore dhe tokë are, shkruan Top Channel.

Më pas, këto prona janë tjetërsuar në bazë të dokumentave të falsifikuara dhe toka u është dhënë në bazë të ligjit 7.501 shtetasve Frrok Frroku, Vasil e Pjetër Gjoni dhe Nikoll Tinaj.

Këta të fundit, nga verifikimi i prokurorisë rezultojnë se nuk janë farë banorë të zonës tek Rana e Hedhun, njësia administrative Mali i Rencit, por janë banorë të një njësie tjetër administrative të Lezhës dhe si të tillë nuk mund të përfitonin atë tokë në bazë të ligjit 7.501.

Gjithashtu, prokuroria ka pyetur edhe disa zyrtarë lokalë, firmat e të cilëve janë në dokumentet e dhënies së tokës tre familjeve Frroku, Gjoni e Tinaj, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë firmosur ndonjëherë për këtë sipërfaqe.

Hetimet janë shtrirë edhe tek zyrtarët apo ish-zyrtarët e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Lezhës për shpërdorim detyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat