Hakmarrje në Vlorë, 3 të plagosur me kallashnikov

Kronikë e zezë

Hakmarrje në Vlorë, 3 të plagosur me kallashnikov

Më: 1 tetor 2017 Në ora: 16:58
Ilustrim

Ferdinand Llanaj, 39 vjeç, i biri 8-vjeçar dhe daja i tij, Dritan Begaj, 50 vjeç, ngelën të plagosur nga breshëria e armës kallashnikov që iu preu rrugën dhe i la të gjakosur, teksa po dilnin nga një pikë karburanti.

Ngjarja ndodhi në rrugën transballkanike në Vlorë, një nga akset ku kanë ndodhur disa ngjarje kriminale në këtë qytet. Autorët janë larguar nga vendngjarja me automjetin tip BMW, që u gjet më pas i djegur tërësisht në një fshat të Fierit.

Paraprakisht, policia dyshon se shënjestra e atentatit ka mundësi të ketë qenë Ferdinand Llanaj, babai i të cilit është vrarë në vijim të një zinxhiri vrasjesh me fillim në vitin 1998 në Selenicë. 60-vjeçari Baftjar Llanaj u qëllua për vdekje me armë zjarri në vitin 2011, ndërkohë, siç rezulton nga kartela e policisë, nga pala kundërshtare e fisit Xhaferraj është vrarë më herët gjysh Xhaferraj dhe plagosur një tjetër. Përplasjet me armë nuk kanë munguar mes dy fiseve.

Një vit pasi iu vra i ati, u dyshua se fisi Llanaj urdhëroi vrasjen e një tjetër kundërshtari, Nure Xhaferrit, i cili gjithashtu u ekzekutua me kallashnikov teksa po udhëtonte në ecje. Por ky zinxhir krimesh nuk janë pista e vetme e policisë. Ferdinand Llanaj është vëllai i të dënuarit të përjetshëm, Aleksandër Llanaj, i cili ndodhet në burg që prej vitit 2015, si njëri nga të dyshuarit e masakrës së trefishtë në Çole, një krim ky që tronditi qytetin e Vlorës asokohe.

Policia shpjegoi në atë kohë, duke iu referuar kamerave të sigurisë ku ndodhi shkëmbimi i armëve të zjarrit, e ku mbetën të vrarë 3 të rinj, se masakra ndodhi pas një sherri në kazino, ndërsa autorët e viktimat shihen para se të nxjerrin armët duke pirë cigare. Por nuk u përjashtua asnjëherë dyshimi se gjithçka mund të kishte ardhur për pazare droge, një pistë që nuk u provua dhe as që doli në gjykim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat