Policia e Kosovës konfiskon rreth 65 kilogramë drogë

Kronikë e zezë

Policia e Kosovës konfiskon rreth 65 kilogramë drogë

Më: 4 nëntor 2017 Në ora: 17:30
Ilustrim

Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas nga Shqipëria pasi që gjatë kontrollit në veturën e tij është gjetur një sasi e konsiderueshme e drogës.

Shtetasi M.M. (1988) nga Kukësi, është arrestuar sot në mëngjes gjatë një kontrolli që njësitë e Anti-drogës së Policisë së Kosovës në Prishtinë me asistencë të njësisë  së trafikut rajonal të Prishtinës, kanë bërë në veturën e tij, në dalje të autostradës “Arben Xhaferi” në Prishtinë.

Gjatë kontrollit në automjetin e të dyshuarit janë gjetur katër paketime të mëdha të mbushura me substancë narkotike të dyshuar si marihuanë, me peshë të përgjithshme 64 kilogramë e 800 gramë. Me këtë rast është konfiskuar vetura dhe dy telefona mobilë.     

Në vendngjarje ka dalë edhe krimteknika rajonale e Prishtinës, e cila ka kryer fotografimin, incizimin dhe ka tërhequr substancën e dyshuar narkotike  nga lokacioni.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent dhe me urdhër të tij, i dyshuari dërgohet në qendrën e mbajtjes.

Policia po vazhdon hetimet për të konstatuar edhe detaje tjera për prejardhjen dhe destinacionin e kësaj ngarkese të dyshuar.

Ndryshe, aksioni i sotëm për kapjen e drogës vjen vetëm një ditë pasi që Policia e Kosovës konfiskoi mbi 130 kg marihuanë, me ç’rast janë arrestuar dy persona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat