Një muaj paraburgim për një grabitje që ka ndodhur para 7 vitesh

Kronikë e zezë

Një muaj paraburgim për një grabitje që ka ndodhur para 7 vitesh

Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 15:40
Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.K për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale grabitje.

Të pandehurit D.K iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.

I pandehuri D.K së bashku me dy të pandehur të tjerë V.E dhe A.S, me qëllim që vetit t’i sjellin përfitime pasurore të kundërligjshme, më 3 mars 2011, rreth orës 22.50 minuta në fshatin Komoran, komuna e Drenasit, përderisa të dëmtuarit  E.E dhe M.D  kishin qenë duke udhëtuar me veturë në relacionin Podujevë – Gjakovë, i kishin kërcënuar,  pastaj në shpejtësi kishin hapur derën e prapme të veturës, kishin marr një çantë të brezit dhe po ashtu në bagazh kishin marr edhe një çantë tjetër të dorës në të cilën kishte sasi ari në vlerë prej 60 mijë euro dhe më pas  kishin ikur në drejtim të panjohur, andaj me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale grabitje.

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për  caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.K është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës, sepse i pandehuri jeton në Belgjikë dhe i njëjti mund të arratiset.

I pandehuri D.K nga koha e kryerjes së veprës penale në vitin 2011 e gjerë më 16 shkurt   ka qenë në arrati dhe ka qenë i pa arritshëm për organet e ndjekjes.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat