Krimi i rëndë në Gjakovë: Pasi tentoi ta dhunojë, 37-vjeçari vrau 55-vjeçaren në shtëpinë e saj

Kronikë e zezë

Krimi i rëndë në Gjakovë: Pasi tentoi ta dhunojë, 37-vjeçari vrau 55-vjeçaren në shtëpinë e saj

Më: 23 shkurt 2018 Në ora: 16:15
Ilustrim

Ajnishahe Bytyqi, 55 vjeçe, u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në fshatin Rogovë të Komunës së Gjakovës, të premten e kaluar. Pasi u krye obduksioni, u konstatua se në trupin e të ndjerës pati shenja dhune. Goditjet në trup e në fytyrë Ajnishahe Bytyqit ia shkaktoi F.G. 37 vjeç, i komunitetit rom, derisa tentoi ta dhunonte seksualisht. Motra e Ajnishahes së ndjerë e cila ka ardhur nga Gjermania për varrimin e saj, ka rrëfyer ngjarjen për Gazetën Express.

Këtë rast Policia po e cilëson si vdekje të dhunshme, respektivisht vrasje. Përderisa kanë konfirmuar se personi që dyshohet se kreu këtë vrasje tashmë ndodhet nën prangat e policisë.

“Pas shumë veprimeve hetimore Policia ka arritur që pas pesë ditësh të identifikojë dhe të arrestojë kryesin e kësaj vrasjeje: F. G. lindur më 1981, mashkull/rom/kosovar.

Me urdhër të prokurorit të shtetit i arrestuari po mbahet në ndalim policor dhe ndaj tij është ushtruar kallëzim penal”, ka njoftuar Policia.

Gazeta ka qëndruar të mërkurën në shtëpinë e të ndjerës, Ajnishahe Bytyqit. Motra e saj, Zyrafetja ka treguar se Ajnishahja prej kohësh ishte ndarë nga burri me të cilin kishte dy fëmijë, e njëjta jetonte e vetme në shtëpinë e saj në fshatin Rogovë të Gjakovës.

Shtepia e Ajnishahe Bytyqit

Pas vdekjes së motrës, Zyrafetja kishte ardhur enkas nga Gjermania për varrimin e saj.

“Unë Ajnën e kam motër, të shtunën kam ardhë prej Gjermanie. Kur kam ardhë krejt shpija ka qenë me policë”, thotë Zyrafetja.

Nga ajo që ka dëgjuar nga fqinjët, Zyrafetja rrëfen për kontaktin e fundit që Ajnishahja e kishte pasur me një fqinje të saj, te e cila kishte ngrënë bukë dhe më pas ishte kthyer në shtëpi për ta bërë gjumin.

“U shku te ni gru të ni kojshike, ka nejt masdarke, ka hanger, ka pi, u ardhë me flejt në gjumë në shtëpi. Tani kur u bë të nesërmen kan 9 sahati, nuk e di, lajmi na ka ardhë që Ajna ka vdekë”, rrëfen Zyrafetja.

Ajo thotë se në trupin e Ajnës është parë gjakderdhje, ndërsa e përshkruan se ka pasur shenja dhune në fytyrë dhe trup.             

“Shenja dhune, krejt fytyra, trupi. Fytyra e saj u kan zi krejt, tani e kanë marrë policia”, thotë ajo për të motrën.

Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se pas obduksionit në trupin e Ajna Bytyqit janë vërejtur shenja dhune.

“Fsh. Rugovë, Gjakovë, më 16.02.2018 - 17:50. Lidhur me rastin pas obduksionit të trupit të viktimës femër K/REA është vërejtur shenja dhune që dyshohet për vrasje. Rasti nën hetime”, ka njoftuar Policia.

Për këtë rast Policia dje ka arrestuar 37-vjeçarin F.G. Përderisa Zyrafetja dyshonte se motrës së saj ia mori jetën dikush nga mëhalla e tyre.

“Tash po thojnë që të mëhallës janë, tash kush janë nuk po dihet”, thotë ajo.

Ajna Bytyqi i përkiste komunitetit rom, mësohet se e njëjta ishte memece. Ajo u varros nga familjarët e saj gjatë ditës së martë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat