Si u vra Arbeni nga kolegu i punës, rrëfehen kushërinjtë e viktimës

Kronikë e zezë

Si u vra Arbeni nga kolegu i punës, rrëfehen kushërinjtë e viktimës

Më: 18 mars 2018 Në ora: 13:58
Viktima

Si çdo ditë tjetër, Arben Kutllovci, 45-vjeçar nga fshati Dobërllugë i Vushtrrisë, mori rrugën për në punë. Ai për disa vite kishte punuar në një fabrikë private për përpunimin e mishit. Por, të shtunën e 17 marsit ai nuk u kthye më në shtëpi. Arbeni u qëllua për vdekje me një pistoletë në vendin e tij të punës. Ndërkohë që për këtë punë një person u arrestua nga policia. I ndjeri ishte i martuar dhe la pas 4 fëmijë.

Dhjetëra persona pasditen e sa dielës ia kishin mësyrë mëhallës së Kutllovcëve në fshatin Dobërllugë të Vushtrrisë.  Familja Kutllovci tashmë kishte të pame për djalin, Arbenin, i cili dje humbi jetën derisa ishte në vendin e tij të punës.

Arbeni u qëllua me një pistoletë të tipit TT-7.62 mm nga një koleg i tiji nga fshati Kukë i komunës së Dragashit. Por, e gjithë kjo vrasje dyshohet të jetë aksidentale.

Express të dielën ka qëndruar në shtëpinë e viktimës. Familjarët kanë rrëfyer se nuk i dinë motivet të cilat kanë çuar deri tek kjo tragjedi e rëndë.

“Nuk i dimë motivet. Arbeni si çdo ditë tjetër edhe dje kishte marrë rrugën për në punë. Por ja që i njëjti nuk u kthye më i gjallë në shtëpi. Nuk na ka përmendur asgjë se a ka ndonjë problem me ndokënd, apo diçka, ndonjë gajle tjetër...”, i ka thënë Expressit një i afërm i viktimës nga Dobërlluga e Vushtrrisë.

Bashkëfshatarët e viktimës e përshkruajnë Arben Kutllovcin si një njeri të urtë dhe punëtor. Thonë se asnjëherë nuk është marrë me punë të këqija.

“Ka qenë një djalë i urtë. Nuk e dimë kurrë që është marrë me ndonjë punë të pistë”, rrëfejnë bashkëfshatarët e Arben Kutllovcit, i cili u vra dje në vendin e tij të punës.
Varrimi i Arben Kutllovcit do të bëhet sot pasdite në varrezat e fshatit Dobërllugë.

Për detajet e kësaj vrasjeje të rëndë, familja e bashkëfshatarët e Arben Kutllovcit nuk dinë asgjë. Thonë se me këtë punë po merret policia e shtetit.

Ndërkaq, organet e hetuesisë, sipas hetimeve të para, këtë vrasje  po e cilësojnë si aksidentale. Ndonëse për këtë punë një person tashmë është arrestuar.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K-shqiptar, i cili me armë zjarri kishte dyshohet se ka qëlluar për vdekje viktimën mashkull K-shqiptar. Vrasja dyshohet sipas dëshmitarëve të jetë aksidentale. Njësiti hetimor në vend ngjarje ka konfiskuar një pistoletë, TT-7.62mm me një fishek në tytë, një karikator me 3(tre) fishek dhe një gëzhoje. Rastit ju kanë përgjigjur gjitha njësit relevante Policore. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë  dërgohet në IML, ndërsa i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes. Rasti mbetet nën hetime”, thuhet në njoftimin e policisë së shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat