Vdekja e Ardit Gjoklajt në Sharrë, Gjykata jep pafajësi për 2 të akuzuarit

Kronikë e zezë

Vdekja e Ardit Gjoklajt në Sharrë, Gjykata jep pafajësi për 2 të akuzuarit

Më: 20 prill 2018 Në ora: 14:38
Viktima Ardit Gjoklaj

Gjykata e Tiranës ka shpallur të pafajshëm dy të akuzuarit për vrasjen aksidentale të të miturit Ardit Gjoklaj në vitin 2016-të në landfillin e Sharrës në Tiranë. Nën akuzë për ngjarjen e bujshme ishin shoferi i fadromës së firmës që grumbullonte mbeturinat, Edmond Kollari, dhe përgjegjësi i turnit të firmës, Dëfrim Hakrama.

Vendimi i Gjykatës së Tiranës është dhënë disa ditë më parë dhe dy të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata, pasi sipas saj nuk ka prova të mjaftueshme për vrasjen aksidentale të të miturit Gjoklaj, që punonte në landfill kundër ligjeve në fuqi. Ardit Gjoklaj u gjet i pajetë në gusht të vitit 2016-të në landfillin e Sharrës.

Në atë kohë pati shumë spekulime për ngjarjen. Në fillim u tha se ai ishte vrarë dhe transportuar në landfill, por më pas u zbulua e vërteta. I mituri punonte në landfill edhe pse nën moshë dhe pa asnjë siguri për jetën. Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Tiranës, Dë- frim Hakrama dhe fadromisti Edmond Kollari nuk kanë respektuar rregulloren për mënyrën e punës në landfill, ku Gjoklaj humbi jetën nga përplasja me fadromën.

DOSJA

Në datën 7.8.2016, rreth orës 14.20, Policia Gjyqësore u njoftua se në vendin e quajtur “Landfilli i Sharrës” Tiranë ishte gjetur një kufomë në grumbullin e mbeturinave pranë sheshit të riciklimit. Kufoma ishte e seksit mashkull, në të cilën, nga këqyrja që iu bë u vërejtën plagë të shumta, si ato të shkaktuara nga mjete të tonazhit të rëndë. Trupi i dëmtuar i këtij shtetasi u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku u bë dhe identifikimi i tij dhe rezultoi se ishte shtetasi Ardit Gjoklaj, i datëlindjes 1999 (17 vjeç), lindur në Tropojë dhe banues në Kombinat, Tiranë.

Ardit Gjoklaj punonte në landfillin e Sharrës, prej afërsisht një muaji, aty ku subjekti “3R” sh.p.k ushtronte aktivitetin e përpunimit dhe riciklimit të mbetjeve urbane në bazë të një aktmarrëveshjeje me Bashkinë Tiranë, i cili edhe në momentin e gjetjes së tij, ishte i veshur me uniformën e punëtorit në landfill (kominoshe ngjyrë gri dhe doreza të gomuara pune).

Nga këqyrjet në vendin e ngjarjes u konstatua se zyra e shoqërisë “3R” sh.p.k, e cila gjendet ne ambientet e landfillit është e përshtatur në një kontenier, ku në këtë zyrë u gjetën disa praktika me emra – mbiemra sipas turneve, me data të ndryshme, të cilat u sekuestruan dhe aty figuron i shënuar edhe emri i shtetasit Ardit Gjoklaj deri ditën e ngjarjes.

Prokuroria dyshonte se Gjoklaj është goditur nga fadroma teksa ishte duke punuar, për këtë arsye akuzoi edhe drejtuesin e saj, Edmond Kollarin. Mirëpo, provat e Prokurorisë nuk mjaftuan për Gjykatën që të shpallte fajtorë dy të akuzuarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat