U filmua në makinën me 400 kg kanabis në Fushë-Krujë, në kërkim polici

Kronikë e zezë

U filmua në makinën me 400 kg kanabis në Fushë-Krujë, në kërkim polici

Më: 20 prill 2018 Në ora: 15:57
Pamje nga aksioni

Një efektiv policie i komisariatit nr 2 në Tiranë u shpall në kërkim nga Policia e Durrësit, pasi u filmua në njërën nga makinat që sollën 400 kg hashash në Fushë-Krujë. Në pranga ra një person që ndodhej në automjetin tjetër, ndërsa specialistët po hetojnë linjën e trafikut të drogës.

Policia e Durrësit shpalli në kërkim një efektiv të komisariatit nr 2 në Tiranë, pasi u filmua nga kamerat e sigurisë së një hoteli, kur solli një sasi të madhe droge në ambientet e një hoteli të njohur në Fushë-Krujë.

Burime të besueshme pranë Policisë së Shtetit thanë për Ora News se specialistët e Antidrogës ishin në ndjekje të një rrjeti kriminal që merrej me kultivimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, por ekspertët nuk kishin dijeni për mbërritjen e afro 400 kilogramëve kanabis pranë ambienteve të këtij hoteli.

“Ka qenë një telefonatë e mbërritur në sallën operative, ajo çka aktivizoi një grup operacional për këtë rast”-shtuan burimet.

Me mbërritjen atje, Policia e Durrësit ka konstatuar 2 automjete të parkuara pranë hotelit, ku një prej tyre ishte furgon.

Inspektori i komisariatit nr 2 është filmuar nga kamerat e sigurisë, teksa ndodhej në njërin prej automjeteve dhe sapo ka pikasur grupin operacional, braktisi automjetin dhe u largua.

Policia sekuestroi mbi 400 kg kanabis që mendohet se do të transportohej drejt Italisë, ndërsa u ndalua personi që ndodhej në automjetin tjetër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat