Pamjet, si i vidhte kasafortat e bizneseve grupi kriminal

Kronikë e zezë

Pamjet, si i vidhte kasafortat e bizneseve grupi kriminal

Më: 19 qershor 2018 Në ora: 17:27
Pamje nga vendi i ngjarjes

Ora News ka siguruar pamjet e kamerave të sigurisë nga dy prej grabitjeve të një grupi kriminal, ku i përfshirë ishte edhe një ish-polic.

Në një prej pamjeve të regjistruara më 24 shkurt 2018 rreth orës 03:26 minuta shihen dy grabitës, të cilët kanë mbuluar pjesën e fytyrës, të ndërgjegjshëm se po vëzhgohen nga kamerat. Ata zhvillojnë kontrolle në një zyrë biznesi.

Në një video tjetër të filmuar dy ditë më vonë nga kamerat e sigurisë, pra më 26 shkurt të këtij viti, shihen tre persona duke nxjerrë një kasafortë nga një tjetër biznes, të cilën e ngarkojnë në një automjet.

Videot e siguruara nga gazetari i Ora News, Mariglen Mullai, janë vetëm dy nga 20 grabitje gjithsej të grupit, i cili e kishte shtrirë aktivitetin e vet edhe në rrethe të tjera të vendit.

Ende nuk dihet shuma totale e 20 kasafortave të grabitura.

Dyshimet e para flasin për miliona euro që ky grup arriti të grabiste nëpër biznese të ndryshme, siç ishin supermarkete, dyqane, mobilieri, etj dhe që një pjesë e mirë e parave mendohet se i kanë shpenzuar në lojërat e fatit.

Policia, në referimin e materialeve drejt prokurorisë, thotë se 5 grabitësit ishin përdorues të lëndëve narkotike dhe se u lokalizuan përmes qelizave të celularit, ndërsa po krahasohen kampionet biologjike që u gjetën në vendet ku ndodhën grabitjet.

Mekanizmi ishte tipiku i grupeve të dhunshme. Të gjithë kanë qenë të dënuar më parë për grabitje, ku i fundit që la qelinë në maj të këtij viti, ishte Engrit Hënaj, një ish-polic i “Shqiponjave” që ishte arrestuar shtatorin e vitit të kaluar, sepse i jepte informacione një grupi kriminal.

Gjatë marrjes në pyetje, orët e fundit, 31-vjeçari Hënaj pranoi se merrte makina dhe ua jepte 4 të tjerëve, për të realizuar grabitjet, gjithmonë në orët e natës, ku lëviznin të armatosur.

Një “Peugeot” që u sekuestrua nga policia, ishte njëra prej këtyre automjeteve, ndërsa një “Benz” dhe një “BMW”, gjithashtu të sekuestruara, rezultojnë të vjedhura.

Valmend Pelivani, 27-vjeçari që u akuzua për një plagosje në Selitë, ngjarje kjo e ndodhur në shkurt, është një tjetër anëtar i bandës.

Ai njihet si kundërshtar i Emiljano Shullazit, ndërsa pjesëtari i tretë në këtë grup kriminal ishte Elton Lika, 35 vjeç, i dënuar me 12 vite burg në vitin 2011 si anëtar i grupit “Hijet e natës”, të cilët gjithashtu grabisnin kasaforta dhe shpenzonin paratë në kazino.

Dy të arrestuarit e tjerë, Sajmir Kuci, 35 vjeç dhe Donald Ahmetaj, 28 vjeç, gjithashtu kanë qenë të dënuar për grabitje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat